E Shtunë, 31 Tetor 2026

Llogoraja, akujt vështirësojnë qarkullimin

VLORË - Reshjet e dëborës të rëna këto ditë kanë krijuar probleme në aksin rrugor në zonën e Llogorasë. Prej katër ditësh reshjet kanë bërë që shumë pjesë të jenë të bllokuara, ndërkohë që është punuar për heqjen e borës nga rruga dhe hedhjen e skorjeve në të.


Gjithsesi, në pjesë të caktuara të akseve, rruga ka qenë e zaptuar nga akujt, çka e ka bërë të rrezikshme lëvizjen në to. Për parandalimin e çdo aksidenti të mundshëm efektivë të qarkullimit rrugor janë vendosur në fushën e Dukatit.


Në orët e mëngjesit dhe paradites nuk janë lejuar shumë prej mjeteve që të ngjiteshin në qafën e Llogorasë, ndërkohë që janë lejuar disa prej tyre, vetëm të pajisura me zinxhirë. Efektivë të qarkullimit rrugor thanë se ata kanë porositur drejtuesit për zinxhirët, ndërsa nuk kanë lejuar mjete të ngjiteshin drejt qafës pa zinxhirë.


Të ndaluar në aksin pranë fshatit Dukat, sa fillon zona malore, kanë qenë drejtues automjetesh, të ndodhur aty prej ditës së djeshme. Ata thanë se ishin penguar për shkak të bllokimit të rrugës dhe prisnin sipas udhëzimeve që jepnin efektivët e qarkullimit rrugor.


Drejtori i drejtorisë së rrugëve, Saimir Haxhiu, tha se prej katër ditësh janë vendosur aty për të ndërhyrë në këtë situatë. Sipas tij në pjesën më të madhe të rrugës, rruga është e kalueshme, por vetëm me zinxhirë.


Referuar ndëshkimeve që ishin paralajmëruar për firmën që mirëmban aksin për mosndërhyrjen në kohë të disa ditëve më parë, ajo është gjobitur me 500 mijë lekë. Një prej borëpastrueseve ka dalë jashtë funksionit, ndërkohë që është punuar nga tre fadroma. Nuk ka pasur aksidente, por në orët e mbrëmjes ka pasur një urgjencë me një person të sëmurë, për të cilin është dashur ndërhyrje e menjëhershme. Më e vështirë ka qenë situata në zonën kur kalohej qafa e Llogorasë.

Era në orët e paradites ka bërë që dëbora në zonën malore të binte në aksin rrugor, ndërkohë që akujt më pas kanë qenë shqetësim i punonjësve, të cilët kanë punuar përgjatë segmentit për ta bërë aksin të kalueshëm. Pas shumë vitesh, bora është parë edhe në zona të bregdetit, ku fenomeni nuk është një dukuri e zakonshme.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›