Tiranë, treni përplas për vdekje gruan e ulur mbi shina
TIRANE – Treni i transportit të udhëtarëve në linjën Durrës-Tiranë përplasi për vdekje pasditen e djeshme një grua rreth të 40-ave, e cila gjeti vdekjen e menjëhershme. Ngjarja ndodhi rreth orës 17:00, në rrugën Jordan Misja, në Tiranë, kur treni vetëm për disa metra po i afrohej stacionit dhe për rrjedhojë shpejtësia me të cilën lëvizte, ishte më e ulët se normalja. Burime nga Policia thanë se makinisti ka tentuar të frenojë, teksa kishte parë gruan në shina duke përdorur të gjitha sinjalet e mundshme, në mënyrë që viktima të lëvizte për të hapur rrugën, por kjo nuk ka funksionuar. Aksidenti ka qenë fatal dhe janë dashur më shumë se 30 minuta që policia të nxirrte viktimën nga hapësira mes shinave dhe trenit, pasi mjeti hekurudhor kishte mundur të ndalonte vetëm pas përplasjes. Burime nga Policia e Tiranës thanë se për disa minuta është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes, nxjerrja e kufomës, si dhe shoqërimi i makinistit, për të dhënë shpjegime rreth ngjarjes. Nga të dhënat paraprake hetimore dhe deklarimet që ka dhënë në polici makinisti, rezulton që gruaja ka qenë e ulur sipër shinave dhe nuk ka lëvizur nga aty edhe pasi ka parë që treni po afrohej dhe ka dëgjuar borinë. Sipas Policisë, të njëjtat deklarime kanë dhënë edhe dëshmitarë që kanë parë ngjarjen, si dhe personat e tjerë që ndodheshin në lokomotivën e trenit. Sipas Policisë, ky fakt e ka bërë grupin hetimorë që ngjarjen ta analizojë jo vetëm si një aksident, por edhe si një vetëvrasje, që gruaja mund ta ketë kërkuar vetë, duke pritur të kalonte treni. Policia sqaroi se viktimës nuk i është gjetur asnjë dokument identifikimi dhe ndodhet ende në Morgun e Tiranës.