"Hijet e natës", në "sitë" pasuritë e të arrestuarve
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka filluar verifikimet për pasuritë e të arrestuarve gjatë operacionit të koduar "Hijet e natës", të cilët kishin organizuar një grup të strukturuar kriminal duke vjedhur biznese të rëndësishme në Shqipëri. Hetuesit e çështjes u kanë kërkuar bankave të niveleve të dyta informacione për llogaritë e mundshme bankare që mund të kenë ngritur shtatë anëtarët e kësaj organizate. Ka dyshime se paratë e vjedhura janë depozituar në ndonjë bankë të niveleve të dyta dhe për të bërë të mundur sekuestrimin e tyre prokuroria ka kërkuar më shumë informacione. Burime nga Krimet e Rënda deklarojnë se po verifikohen edhe llogaritë bankare të të afërmve të arrestuarve, duke u bazuar në ligjin e vjetër "Antimafie", pasi ligji i ri hyn në fuqi vitin tjetër. Megjithatë, me ligjin ekzistues prokuroria e ka të vështirë t‘u sekuestrojë pasuritë personave që janë arrestuar, pasi me ndryshimet që pësoi ky ligj në Gjykatën e Lartë nuk i shtrin efektet për pasuritë që janë vënë nga këta të pandehur para se të arrestoheshin. Megjithatë, ligji i ri ka fuqi prapavepruese dhe këta të arrestuar duhet të vërtetojnë origjinën e llogarive bankare.
Kërkesat
Krahas niveleve të dyta të bankave në Shqipëri, hetuesit e çështjes i kanë kërkuar informacione zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme për pasuritë që mund të disponojnë shtatë anëtarët e kësaj organizate. Ka dyshime se me përfitimet nga aktiviteti kriminal ata kanë ngritur pasuri të paluajtshme në "kurriz" të biznesmenëve që kanë rënë pre e këtij grupi. Hetuesit e çështjes pritet që këto ditë të marrin në dorë të gjitha informacionet nga Hipoteka dhe të vendosin për masat që do të marrin në të ardhmen. Megjithatë, puna e hetuesve po përqendrohet në zbardhjen e disa grabitjeve të tjera që janë realizuar në Tiranë. Disa ditë më parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka tërhequr nga akuza e kryeqytetit 14 dosje penale, që bëjnë fjalë për disa vjedhje në kryeqytet, por që janë pezulluar pasi nuk kanë autor. Ka dyshime se personat e arrestuar gjatë operacionit "Hijet e natës" janë personat që kanë realizuar këto vjedhje. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda deklarojnë se dosjet janë bashkuar dhe po hetohen bashkërisht dhe në ditët në vijim do të verifikohen të gjitha gjurmët. Ka dyshime të forta se grupi ishte i mirorganizuar dhe kishte një strukturë. Një hetim i plotë dhe i gjerë, i realizuar për tre muaj, ka zbardhur edhe personat që akuzohen për rreth 20 vjedhje në të gjithë Shqipërinë.
Skema
Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda ka zbardhur edhe skemën e grabitjes së bizneseve. Në shumicën e rasteve, banda vepronte natën. Sipas të dhënave, gjatë gjithë ditës ata flinin gjumë dhe mblidheshin rreth orës 18.00 pasdite për të bërë planin e goditjes së radhës. Si truri i këtij rrjeti kriminal është cilësuar i arrestuari Bakalli, i cili është tepër i njohur edhe nga policia, pasi ka vjedhur disa banka të njohura në vend. Për të realizuar grabitjen e një biznesmeni në një nga katet e larta të pallatit ku jetonte, anëtarët e bandës, përveç sendeve si çelësa, kaçavida apo materiale të ndryshme, kanë përdorur batanije dhe copa të vogla tapetash. Pasi kanë arritur të hyjnë brenda, disa prej anëtarëve të bandës kanë çmontuar kasafortën, ndërsa disa të tjerë janë me kuvertat dhe tapetet, të cilët kishin arritur t‘i fusnin brenda ambienteve. Kjo metodë është përdorur edhe në raste të tjera, për të mbuluar gjurmët. Sapo gjenin lekët i hidhnin në tapet, të cilin e mbështillnin dhe menjëherë dilnin jashtë, ku dukej se tapetet ata i fusnin në makinë për t‘i larë apo diçka tjetër. Fill pas gjithë këtyre veprimeve, ata largoheshin me makinat e tyre, duke marrë me vete edhe shumat e konsiderueshme të lekëve.
S.Ç