E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Biznesi" i lypësve zhvendoset në Kosovë

Biznesi i inkriminuar i fëmijëve lypsarë duket se është zhvendosur nga Tirana në Prishtinë. Fakti tronditës është paraqitur në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit nga oficeri i kontaktit pranë Ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë. Në rrugë zyrtare, shifrat tregojnë se nga 100 fëmijë lypsarë, të cilët janë kapur gjatë muajit nëntor në Kosovë, 43 rezultojnë se janë nga Shqipëria. Policia e Kosovës, e cila ka programe të veçanta për trajtimin e fëmijëve dhe policimin në komunitet, duke marrë shkas nga kjo ndodhi tronditëse ka kërkuar ndihmën e policisë shqiptare për të zbardhur të vërtetën e shfrytëzimit të tyre për të lypur në rrugët e Kosovës.

"Biznesi"
Siç dihet prej kohësh, fëmijët lypës kanë "pushtuar" rrugët e Tiranës, por për të shmangur këtë fenomen, ka pasur vetëm disa aksione të vogla, duke i larguar ata nga rrugët, por asnjëherë këtij problemi nuk i është gjetur zanafilla. Asnjëherë nuk janë kërkuar përgjegjësit që i detyrojnë këta fëmijë të dalin të lypin, qofshin ata familjarët e tyre, apo shfrytëzues të miturish, ashtu siç e parashikon edhe Kodi Penal i Shqipërisë. Duke u nisur nga këto bezdisje është gjetur një rrugë e re për të lypur, e për të rritur biznesin e lypjes me anë të fëmijëve të mitur, ku shumica e tyre, janë jetimë. Duke mos gjetur shumë terren në Shqipëri, e duke parë se numri i tyre është shtuar, është menduar se ky biznes i jashtëligjshëm të shtrihet në Kosovë. Sipas të dhënave policore, mendohet se nga persona të posaçëm, ata dërgohen deri në kufi në Kukës, pikërisht në Morinë dhe aty kalojnë kufirin për në Kosovë. Sapo mbërrijnë në Prishtinë, fëmijët shpërndahen nëpër rrugët e qytetit për të lypur e me patjetër për të mbledhur sa më shumë para. Atyre nuk u lejohet të marrin ushqime, apo cigare, por vetëm para nga të gjithë shqiptarët e Kosovës.
Pak kohë më parë, duke qenë një shtet në ndërtim e sipër, Kosova implementoi programin për policimin në komunitet dhe mbrojtjen e të miturve nga dhuna dhe shfrytëzimi. Programe të veçanta u hartuan nga krerët e policisë Kosovës dhe menjëherë nisi puna për evidentimin e të gjitha rasteve, sidomos në Prishtinë. Gjatë muajit nëntor, që nga fillimi e deri në fund të tij, policia ndërmori një aksion për largimin e të miturve nga rrugët e Prishtinës. Por ata nuk ishin pak. Pikërisht për 30 ditë, strukturat policore të Kosovës, arritën të kapin 100 fëmijë. Të gjithë u trajtuan në bazë të konventave ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve dhe u strehuan në qendrat përkatëse. Më pas, ata u morën në pyetje edhe nga psikologët përkatës për të zbuluar të vërtetën mbi fatin që i kishte degdisur si lypsarë në rrugët e Prishtinës. Por, i veçantë mbeti fakti se 43 prej tyre ishin shqiptarë nga Shqipëria. Kjo i shqetësoi autoritetet e policisë së Kosovës edhe nga marrja në pyetje e tyre, pasi dukeshin shumë të sofistikuar në përgjigjet që jepnin. Ata deklaronin për autoritetet përkatëse se në Kosovë kishin ardhur vetë për të lypur dhe nuk komandoheshin as nga familja e as nga ndonjë tutor.

Strategjia
Duke qenë e pabesueshme për policinë e Kosovës, drejtuesit e programit morën kontakt me oficerin e policisë shqiptare që ndodhet pranë ambasadës sonë në Prishtinë. Atij iu vu në dispozicion i gjithë informacioni përkatës dhe u kërkua informacion nga policia shqiptare për bashkëpunim në luftën ndaj këtij fenomeni. Lista e emrave të "lypësve" shqiptarë, tashmë ka mbërritur pranë policisë dhe në bashkëpunim po punohet për identifikimin dhe kapjen e agresorëve. Aktualisht, po kërkohen momentet e hyrjes në Kosovë të fëmijëve shqiptarë, të cilët detyrimisht kanë kaluar me persona të rritur, pasi ligjin nuk e lejon që ata të kalojnë kufirin vetëm. Pasi të identifikohen edhe autorët e këtyre rasteve tejet të rënda, policia do të vijojë hetimet për zbulimin total të aktivitetit kriminal.
Megjithatë, kjo luftë nuk mbaron këtu për policinë, si shqiptare edhe atë të Kosovës. Sipas të dhënave, fëmijët e kapur janë sjellë sërish në Shqipëri, duke tentuar që në bashkëpunim ata të dërgohen pranë familjeve, ose në institucione për kujdes ndaj tyre. Edhe kjo nuk ka ndodhur. Që në ditët e para të dhjetorit, policia e Kosovës, gjatë aksionit për largimin e lypësve nga rruga, ka vënë re se disa prej të kapurve, ishin pikërisht fëmijët shqiptarë, që ishin rikthyer në atdhe. Kur ata janë marrë në pyetje, kanë deklaruar se në Shqipëri nuk kishin çfarë të bënin e për këtë arsye kishin kaluar kufirin në këmbë dhe ishin rikthyer për të fituar para nga shtetasit në Kosovë. Nga ana tjetër, prej studimeve të kryera rezulton se ata janë tejet të ekspozuar ndaj krimit e të predispozuar si kontingjent i mundshëm kriminal dhe ende nuk dihet sesi do të jetë fati i tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›