E Diel, 1 Nëntor 2026

"Hijet e natës", në vjedhjen e 4 bankave

Hetimet për grupin e grabitësve, që u godit dy ditë më parë, janë përqendruar në grabitjen e bankave. Ata dyshohen për të paktën vjedhjen e tre bankave gjatë vitit 2008 dhe një tjetre në vitin 2009. Nga ana tjetër, policia ka zbardhur edhe mekanizmin e grabitjes së bizneseve dhe biznesmenëve nga ana e tyre. Por veç tyre, policia e kryeqytetit ka arrestuar dje edhe dy grabitës të tjerë, të cilët janë kapur duke tentuar të hapin kasafortën e një farmacie. Ende nuk dihet nëse ata kanë lidhje me grupin prej shtatë vetash të arrestuar dy ditë më parë, por po hetohet edhe për raste të tjera vjedhjesh, të kryera prej tyre.
Sipas policisë, shtatë të arrestuarit do të procedohen penalisht si grup i strukturuar kriminal dhe po hetohet në bashkëpunim me krimet e rënda për dokumentimin e gjithë veprave penale të kryera prej tyre. Sipas të dhënave hetimore, ata dyshohen se kanë kryer tri vjedhje me armë bankash gjatë vitit 2008, vit i cili arriti rekord për këtë lloj vepre penale. Gjithashtu, mendohet se ata kanë kryer një tjetër vjedhje banke në muajin prill të këtij viti. Provat për këto ngjarje të rënda po rishikohen nga grupi hetimor, pasi ka dyshime të forta se ky grup i ka realizuar ato në kohë të ndryshme. Policia, në bashkëpunim me organin e akuzës, ka zbardhur edhe skemën e grabitjes së bizneseve. Në shumicën e rasteve, banda vepronte natën. Sipas të dhënave, gjatë gjithë ditës ata flinin gjumë dhe mblidheshin rreth orës 18.00 pasdite për të bërë planin e goditjes së radhës. Si truri i këtij rrjeti kriminal është cilësuar i arrestuari Bakalli, i cili është tepër i njohur edhe nga policia, pasi ka vjedhur disa banka të njohura në vend. Për të realizuar grabitjen e një biznesmeni në një nga katet e larta të pallatit ku jetonte, anëtarët e bandës, përveç sendeve si çelësa, kaçavida apo materiale të ndryshme, kanë përdorur batanije dhe copa të vogla tapetash. Pasi kanë arritur të hynë brenda, disa prej anëtarëve të bandës kanë çmontuar kasafortën, ndërsa disa të tjerë janë me kuvertat dhe tapetet, të cilët kishin arritur t‘i fusnin brenda ambienteve. Kjo metodë është përdorur edhe në raste të tjera, për të mbuluar gjurmët. Sapo gjenin lekët i hidhnin në tapet, të cilin e mbështillnin dhe menjëherë dilnin jashtë, ku dukej se tapetet ata i fusnin në makinë për t‘i larë apo diçka tjetër. Fill pas gjithë këtyre veprimeve ata largoheshin me makinat e tyre, duke marrë me vete edhe shumat e konsiderueshme të lekëve.
Ditën e djeshme, policia ka arrestuar edhe dy persona të tjerë për grabitje kasafortash, por ende nuk dihet nëse kanë lidhje me grupin e mëparshëm. Nga shërbimet e Komisariatit Nr. 5 në Tiranë është realizuar arrestimi i Fatjon Qoses, 23 vjeç dhe Dalip Hodos, 43 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje. Arrestimi i tyre u krye, sepse në Babrru janë kapur në flagrancë nga patrulla e përgjithshme, duke vjedhur me thyerje farmacinë në pronësi të Alfred Qoses, ku kishin marrë një sasi parash që ndodheshin në kasafortën e farmacisë.
Dy ditë më parë, nga seksioni kundër vjedhjeve u arrestuan Elton Lika, Taulant Mataj, Admir Burri, Saimir Kuçi, Sulejman Bakalli, Euklid Habili dhe Dritan Duka. Fillimisht u kapën Eltoni e Taulanti, sepse me datë 12 dhjetor, në orën 03.30, në Durrës, kanë vjedhur me thyerje agjencinë e udhëtimeve "Adriatika", ku kanë marrë 19 mijë euro. Për pesë të tjerët, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka urdhëruar ndalimin për kryerjen e disa vjedhjeve në bashkëpunim, në kohë e vende të ndryshme, ku numërohen që nga vjedhja e 600 milionë lekëve të një biznesmeni, deri te vjedhja e ambasadës së Danimarkës në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›