E Diel, 1 Nëntor 2026

"Kalova katër male për të shkuar në Durrës"

Në Gjykatën e Tiranës ka dëshmuar edhe Vasil Laçi, i ditëlindjes 1 shtator 1992. Ka shkuar në punë me miratimin e Dritan Minxollit. Qëndronte te makineria e demontimit të municioneve dhe ngarkonte kazanët e makinerisë me fishekë. Paga ishte 10 mijë lekë të vjetra në ditë. Aty ka punuar rreth pesë muaj. Pasi mbaroi demontimi i fishekëve, drejtuesit e fabrikës i thanë se do të vinin predhat dhe Vangjeli u mësoi punën. Për demontimin e municioneve punoi së bashku me babanë e nënën. Ata hapnin arkën dhe brenda saj kishte predha e djegore. Arkën e hapnin me leva. Gjatë çmontimit ka pasur edhe bashkëmoshatarë të tij që bënin të njëjtin punë. 17-vjeçari tregoi se disa persona janë dëmtuar gjatë procesit të demontimit nga rënia e predhave. Ditën e ngjarjes ishte së bashku me babanë e nënën. "Ishte ora rreth 12 pa 10 dhe të gjithë po bëheshin gati për drekën. Unë isha duke futur ca thasë me barut brenda në magazinë dhe kam parë një tym. Pas tymit u shfaq një flakë e madhe. E lëshova karrocën dhe u largova me vrap. Hyra në magazinë dhe dola prej andej nga dera tjetër. Vrapova në një dishesë dhe po tentoja të ikja në mal. Në këtë moment dëgjova shpërthimin. Vala më hodhi 10 metra. Së bashku me mua, në mal ishin edhe disa persona të tjerë që u futëm në një bunker. Aty kemi ndenjur një orë. Morëm në telefon ndërhyrjen e shpejtë po nuk na ndihmuan, na thanë se duhet të largoheshim, pasi ishim ende në rrezik. Pas këtij momenti kemi kaluar nja dy a tre male e kemi përfunduar në Durrës pas disa orësh ku shkuam e u mjekuam. Unë kisha disa djegie në qafë e veshë. Dua të sqaroj se ditën që ndodhi ngjarja ishim nja 150-170 persona", tha Vasili.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›