Hill-Ud konfirmon: Flamini mund të largohet në verë
Drejtori ekzekutiv i Arsenalit, Peter Hill-Ud, ka pranuar se Matië Flamini mund të largohet shumë shpejt nga "topçinjtë". Kontrata e mesfushorit francez do të përfundojë gjatë verës dhe nuk ka pranuar ende ta rinovojë atë, pavarësisht ofertës prej 50 mijë sterlinash në javë që i është bërë nga drejtuesit e skuadrës. Kjo është arsyeja kryesore pse "topçinjtë" janë të frikësuar se futbollisti ka arritur një parakontratë me Juventusin dhe mund të largohet qetësisht gjatë merkatos verore. "Ne kemi bërë një ofertë të cilën e shohim si shumë të vlefshme për futbollistin, ndërsa presim të mësojmë nga ai nëse i pëlqen apo jo. Por tani nuk dihet më se si mund të shkojnë gjërat. Kur mendon se një lojtar po ia kalon mirë te një skuadër, dikush i bind se do ia kalonin më mirë në një ekip tjetër. Ndaj nuk e di përgjigjen përfundimtare për futbollistin, por mendoj se rrezikojmë largimin e tij", u shpreh Peter Hill-Ud. Mendohet se futbollisti do të largohet drejt Juventusit, një skuadër që e kërkon prej kohësh francezin dhe që i ka bërë një ofertë prej 60 mijë sterlinash në javë. Drejtori sportiv i bardhezinjve, Zhan-Klod Blank, bëri të ditur se lojtari është shumë pranë firmosjes së akordit, duke shuar zërat se Milani ishte në avantazh pas kontakteve me lojtarin. "Ne jemi në avantazh ndaj të gjithë kundërshtarëve, pasi Flamini ka qenë tifoz i Juventusit që fëmijë. Për më tepër, ne kemi një projekt të saktë sportiv dhe do të marrim pjesë në Ligën e Kampioneve, ndërsa Milani nuk e garanton një gjë të tillë", deklaroi Blank për mediat britanike.