Barça-Mançester, titanët ndahen në "paqe"
Gjysmëfinalja tjetër e Ligës së Kampioneve ka vënë përballë dy skuadrat e vetme që nuk kanë pësuar humbje në këtë edicion të aktivitetit më të rëndësishëm për klube në Evropë. "Kamp Nou" ishte stadiumi ku në vitin 1999 Mançester Junajted ka ngritur në qiell trofeun prestigjioz, në atë finale dramatike të fituar 2-1 me Bajernin e Mynihut, por detyra e skuadrës së Sër Aleks Ferguson ishte të bënte atë që asnjë skuadër gjatë këtij sezoni nuk e ka arritur: të shmangte humbjen në Barcelonë. Nga ana tjetër, skuadra e Rajkard është përforcuar pas rikthimit të Lionel Mesit, i cili nuk luante në Champions që prej dëmtimit të pësuar në ndeshjen e turit të parë eliminator kundër Sëlltik. Kjo ishte përballja e tetë ndërmjet këtyre dy klubeve, ku në të kaluarën secila ka fituar nga dy sfida, ndërsa tre janë mbyllur në barazim. Përpara 98 mijë të pranishmëve, Junajted dhe Kristiano Ronaldo kanë shansin më të mirë për të shënuar, kur pas vetëm dy minutave lojë gjyqtari Masimo Busaka akordoi 11-metërsh për prekje të topit me dorë në zonë nga Gabri Milito. Ronaldo merr përsipër ekzekutimin, por godet shumë keq dhe sfera përfundon jashtë portës së mbrojtur nga Viktor Valdes. Barça reagon me Çavin, gjuajtja e të cilit kontrollohet nga Van der Sar. Kur po afronte minuta e 30-të, anglezët pretendojnë një penallti tjetër, por këtë herë "bilbili" zviceran nuk ka qenë i të njëjtit mendim, edhe pse ndërhyrja e Markez ndaj Kristiano Ronaldos ishte shumë e dyshimtë. Në fraksionin e dytë, mundësia e artë për të shënuar për katalanët kalon nga këmbët e Samuel Eto‘o, por fillimisht kamerunasi gabon pasin final për Mesin, ndërsa më pas gjuan vetëm rrjetën e jashtme të portës. Mançesteri kundërpërgjigjet me Karrik, që nuk kalibron si duhet të majtën e tij. Vendasit tentojnë në dy momente me Çavin, megjithatë Van der Sar ka qenë i pozicionuar mirë, ndërsa pak momente më vonë, Inesta pretendon një 11-metërsh, që nuk ka gjetur miratimin e gjyqtarit Busaka. Edhe Henri, i futur në lojë prej pak minutave, vë në provë në dy raste "gardianin" holandez, që tregohet i vëmendshëm. Në këtë mënyrë, skuadrat ndahen në barazim 0-0, duke lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e dytë, e cila do të luhet në "Olld Traford" më 29 prill.