E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lampard: Përgatitja fizike na ndihmoi për barazimin

Frenk Lampard është i bindur se përgatitja fizike e lojtarëve të Çelsit ka qenë vendimtare në barazimin 1-1 të sfidës ndaj Liverpulit, pa harruar edhe një forcë të ndjeshme psikologjike. Ndonëse londinezëve iu desh një autogol i Rise në minutën e fundit shtesë të takimit për të siguruar këtë barazim, Lampard mendon se kjo është meritë e skuadrës që vrapoi edhe në minutat e fundit. "Ne e dimë që sekonda e fundit e ndeshjes mund të bëjë diferencën dhe kjo është arsyeja pse luftojmë deri në fund. Liverpuli kishte raste, luajti mirë për pjesë të ndryshme të lojës, por ne vazhduam të shfaqnim lojën tonë, ndaj mendoj se kjo ishte një përballje e fortë. Ne e filluam mirë ndeshjen, kishim disa raste, por më pas lamë kundërshtarët të kontrollonin lojën dhe ata shënuan. Ishim të zhgënjyer në pushimin e ndeshjes, pasi kishim dominuar 30 minutat e para, por vendosëm të luftonim deri në fund dhe ai gol i shënuar do të krijojë edhe një diferencë psikologjike mes skuadrave", u shpreh mesfushori i Çelsit. Sipas tij, një prej faktorëve më të rëndësishëm në minutat e fundit ka qenë aktivizimi i Solomon Kalu, i cili vuri disa herë në rrezik prapavijën e Liverpulit. "Sigurisht që goli jashtë fushe është vendimtar. E dinim që kundërshtarët do të ishin të rrezikshëm para portës sonë dhe do të krijonin raste. Ne u munduam që t‘i neutralizonim dhe pas kësaj faze filluam të ndërtonim aksionet tona. Luftuam deri në fund dhe e merituam barazimin. Solomon Kalu i shtoi skuadrës agresivitetin dhe cilësinë që i mungonte, hodhi një top në zonë dhe fatmirësisht, ai përfundoi në rrjetë", tha Lampard.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›