Pezullimi, tërhiqet edhe qeveria spanjolle
Nëse në Shqipëri nuk është zgjidhur ende konflikti mes FSHF-së dhe MTKRS-së, në vende të tjera, qeveritë nuk preferojnë të nisin konflikte që mund të sjellin pezullimin dhe përjashtimin nga arena ndërkombëtare. Pas kërcënimit nga FIFA për pezullim të Spanjës, qeveria spanjolle është tërhequr nga pretendimet e saj ndaj federatës vendase, për të shmangur probleme të mundshme në arenën ndërkombëtare. Këshilli Sportiv Spanjoll, nën varësi të qeverisë së Zapateros, ka vendosur dje të tërhiqet nga pretendimi për zgjedhje të parakohshme në Federatën Spanjolle të Futbollit para fillimit të EURO 2008. Në dhjetor të vitit 2007, qeveria spanjolle urdhëroi të gjitha federatat sportive që nuk ishin kualifikuar në "Pekin 2008" të zhvillonin zgjedhjet para fillimit të këtij aktiviteti. Megjithatë, Federata e Futbollit e kundërshtoi këtë alternativë, duke u justifikuar me pjesëmarrjen në EURO 2008. Sipas mediave spanjolle, qeveria ka pranuar të tërhiqet nga kërkesa, duke lejuar zhvillimin e zgjedhjeve në federatë në fundin e këtij viti.