E Shtunë, 31 Tetor 2026

Benitez: Gjyqtari ishte kundër Liverpulit

Trajneri i Liverpulit, Rafael Benitez, beson se të besuarit e tij mund ta kalojnë tabunë me emrin "Stemford Brixh" e se kanë ende shanse që të arrijnë finalen e tretë të Ligës së Kampioneve në katër vite. Pas barazimit 1-1 të së martës, "Reds" duhet të shënojnë golin e parë në fushën e Çelsit, që prej vitit 2004 kur në krye të skuadrës erdhi tekniku spanjoll, për të shpresuar kualifikimin. Benitez tha: "Po, e kam të qartë se nuk kemi shënuar asnjë gol në fushën e Çelsit gjatë katër sezoneve të fundit në Champions. Gjithsesi, ka gjithmonë një herë të parë. Nëse luajmë aq mirë sa luajtëm sa në ndeshjen e parë dhe të krijojmë aq raste sa kishim, do të arrijmë në finale". Liverpuli kaloi në avantazh pas golit të shënuar në fundin e pjesës së parë nga Dirk Kuijt, por vendasit nuk arritën të mbanin avantazhin, pasi në minutën e pestë shtesë të ndeshjes, Xhon Arne Rise shënoi në portën e tij. Me një gol të shënuar në fushën kundërshtare, Çelsi cilësohet si kandidatja kryesore për të arritur finalen e 21 majit, që do të luhet në Moskë. Rreth kësaj, Benitez pohoi: "Tashmë duhet të mendojmë pozitivisht. Duhet të tentojmë të përsërisim në ‘Stemford Brixh‘ lojën e gjysmëfinales së parë. Kemi besim te forcat tona. Unë kam besim se do të kualifikohemi për në finale. Do t‘i kërkoj skuadrës të luajë si në 20 minutat e para të pjesës së dytë, ku ishim shumë më superiorë se Çelsi. Nëse do të paraqitemi në atë mënyrë, kemi shanse të mëdha për të qenë në Moskë". Benitez ka qenë kritik ndaj gjyqtarit austriak, Konrad Plautz, që ka akorduar shumë minuta shtesë. Spanjolli është shprehur i mërzitur edhe rreth faulleve të fërshëllyera nga "bilbili" kundër skuadrës së tij. "Ishte një sfidë shumë e vështirë dhe duhet të pranoj se gjyqtari më zhgënjeu. Kjo nuk ishte hera e parë. E dinim se çfarë na priste, pasi i njëjti arbitër kishte drejtuar edhe ndeshjen e fazës së grupeve me Marsejën. Në pjesën e parë akordoi vetëm 1 minutë shtesë, ndërsa në pjesën e dytë 4: nuk e kuptova këtë vendim. Gjithashtu, të gjithë faullet që bëheshin ishin kundër nesh. Katër faullet e para që gjyqtari dha kundër Liverpulit ishin për shtyrje të kundërshtarit, ndërsa më pas ai nuk akordoi asgjë kur një lojtar i tyre (Ashli Kol) shtyu në zonë me të dyja duart një lojtarin tonë. Por, nuk mund të bëjmë fajtor gjyqtarin edhe për rastet që kemi humbur: kishim të paktën katër mundësi mjaft të mira për shënim dhe duhej të kishim shënuar". Benitez ka konfirmuar se përpara ndeshjes ka biseduar edhe me bashkëpronarin e skuadrës, Tom Hiks: "U takova shkurtimisht me Hiks dhe u bisedua për zhvillimin e një takimi, ku të pranishëm do të jenë të dy pronarët. Aty do të diskutohet rreth të ardhmes".

Nga ana e tij, trajneri i Çelsit, Avram Grant, beson se skuadra e tij bëri "një hap shumë të madh" drejt finales së Ligës së Kampioneve. Izraeliti është nën presion, pasi mediat kanë raportuar se ai duhet të fitojë një trofe në fund të sezonit. Rreth kësaj, Grant tha: "Nuk më shqetësojnë ato që thuhen. Po bëj thjesht punën time dhe kërkoj rezultate. Barazimi 1-1 jashtë fushe është një rezultat i mirë. Bëmë një hap të madh drejt objektivit tonë. Mendoj se e merituam".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›