E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hansa Rostok i trembet shqiptarit Ervin Skela

Përpara ndeshjes së të shtunës kundër Energie Kotbus, Hansa Rostok i trembet formës së shkëlqyer që po kalon shqiptari Ervin Skela. Mesfushori Tobias Rathgeb beson se mënyra e vetme për të marrë rezultat në "Stadion der Freundshaft" është gjetja e një mënyre për të nxjerrë jashtë loje fantazistin kuqezi. Ecuria e Kotbus është varur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Skela, që në fazën e dytë ka qenë iniciator i tetë nga 13 golat e shënuar nga skuadra. Vlonjati ka realizuar pesë gola në këtë sezon, katër prej të cilëve kanë qenë në tri ndeshje radhazi, duke ndihmuar Kotbus që nga vendi i fundit në Bundesligë të renditet e 14-ta. "Ervin Skela është një lojtar i njohur, që pa dyshim ka shumë kualitet. Ai shërben si një pikë orientimi për të gjithë skuadrën dhe e përdor me shumë zgjuarsi klasin që zotëron", tha 25-vjeçari Rathgeb. "E dimë sa i rëndësishëm është Skela për Kotbusin, por duhet të tregohemi të kujdesshëm edhe ndaj lojtarëve të tjerë të kësaj skuadre".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›