E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita e Pavarësisë, festë në Tiranë nga mëngjesi në mbrëmje

SHKRUAN: Jonida Tashi 27-11-2011 12:21

Bashkia e Tiranës do t’i organizojë të gjitha aktivitetet festive e kulturore në datën 28 Nëntor, duke lënë pas traditën e Natës së Bardhë. Atmosfera festive do të kulmojë me koncertin e madh në orën 18:00, në sheshin “Nënë Tereza”, ku do të marrin pjesë këngëtarët më të njohur

Tirana do të vishet kuq e zi në Ditën e Pavarësisë, për të mikpritur një sërë aktivitetesh festive dhe kulturore, të organizuara nga Bashkia e Tiranës. Ndryshe nga ç’ishte bërë traditë me Natën e Bardhë, Bashkia e Tiranës ka vendosur që të gjitha aktivitetet të zhvillohen më 28 nëntor. Qyteti i Tiranës, i dekoruar me simbole, flamuj kombëtarë, do të festojë sipas një programi, ndërkohë që zyrtarisht aktivitetet do të nisin me vizitën e kreut të Bashkisë, Lulzim Basha te Varrezat e Dëshmorëve. Pjesë e këtyre aktiviteteve do të jetë panairi “Blej shqip”, ku do të tregtohen vetëm produkte shqiptare. Në hapje të jubileut të 100-të të Pavarësisë së Shqipërisë do të organizohet ekspozita fotografike me momentet më të rëndësishme historike të festimeve të kësaj dite në Tiranë. Edhe Cirku i Tiranës do të jetë pjesë e zinxhirit të aktiviteteve festive. “Thesaret e Cirkut” është shfaqja e cila do të lançohet për herë të parë me rastin e 28 Nëntorit dhe do të vazhdojë përgjatë gjithë sezonit të dhjetorit, ku do të përmblidhen numrat më të mirë ndër vite në 7 profilet themelore të cirkut. Shfaqja teatrale për fëmijë nga Teatri Metropol do të performohet në terren të hapur nga artistët e këtij teatri në krah të shfaqjes së cirkut me orare të alternuara për të krijuar një program të plotë e argëtues për fëmijët e Tiranës të përqëndruara tek Parku “Rinia”. Vogëlushët që prej kohësh ndjekin kurse artistike pranë qendrës “TEN” do të performojnë në skenën e ngritur tek lulishtja e “Parkut Rinia” për cirkun dhe teatrin me një kolazh këngësh në kor, vallesh popullore, performime me violinë, kitarë etj., për të filluar kështu gëzueshëm këtë ditë festive. Më pas, nga ora 11.00 deri në 13.00 dhe nga ora 16:30 deri në 18:00 Ansambli i Tiranës do të performojë në rrugën “Murat Toptani”valle të të gjitha krahinave, për t’i shtuar frymën festive dhe ndjesinë shqip panairit në rrugën pedonale. Atmosfera festive do të kulmojë me koncertin e madh në orën 18:00 në sheshin “Nënë Tereza”, ku do të marrin pjesë përfaqësuesit më të mirë të muzikës shqiptare. Ndërkohë që pas koncertit, në orën 20:00 të mbrëmjes, përpara Galerisë Kombëtare të Arteve do të shfaqet me një aparaturë tradicionale jodixhitale me projeksion filmi “Nëntori i dytë”, e cila krijon emocione të veçanta e shfaqur në një ambjent të hapur me teknologjinë e vjetër, për të plotësuar mozaikun e sjelljes në vëmendje të historisë 99-vjeçare të Shqipërisë në Pavarësi.

Programi festiv nga mëngjesi në mbrëmje

Ora: 10:00 Ceremonia tek Varrezat e Dëshmorëve

Ora: 09.00-21.00 Panairi “Blej shqip”. Vendndodhja: Rruga “Murat Toptani” .

Ora: 10.00 -13:00 Shfaqje për fëmijë nga Cirku i Tiranës, Teatri Metropol dhe fëmijët e Qendrës “TEN”. Vendndodhja: Parku Rinia.

Orari: 11:00-13:00 dhe 16:30-18:00 Këndi i fotografisë. Vendndodhja: Trotuari përpara Galerisë së Kombëtare të Arteve.

Orari:11:00-13:00 dhe 16:30-18:00 Ansambli i Tiranës. Vendndodhja: Rruga “Murat Toptani”.

Orari:11:00-13:00 Konkursi i pikturës & Kori i fëmijëve. Vendndodhja: Sheshi tek “Vëllezërit Frashëri”.

Orari:12:30-13:30 Kamerata e Tiranës. Vendndodhja: Sheshi tek “Vëllezërit Frashëri”.

Ora: 18:00 Koncerti i madh tek sheshi “Nënë Tereza”, ku do të marrin pjesë këngëtarët më të njohur.

Ora: 20:00 Shfaqja e filmit “Nëntori i dytë”. Vendndodhja: Galeria Kombëtare e Arteve.

Basha në familjet e vjetra tiranase

Nga shtëpia e piktorit të njohur Sali Shijaku, i cili ka ruajtur në këtë ndërtesë traditën tiranase, kryetari i Bashkisë Lulzim Basha kremtoi 99-vjetorin e ngritjes së flamurit në kryeqytetin e shqiptarëve. Duke iu referuar familjeve të vjetra tiranase, ku një pjesë të pinjollëve të tyre ndodheshin në shtëpinë e Sali Shijakut, Basha shprehur nderimin për patriotët kryeqytetas në 99-vjetorin e ngritjes së flamurit. Kryetari i Bashkisë u shpreh gjithashtu se nga ky 26 nëntor nis sipari i aktiviteteve që do të organizohen në Tiranë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Me rastin e 99-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Tiranës, kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha u takua me pinjollët e familjeve të firmëtarëve të aktit të Pavarësisë për Tiranën. Në këtë takim ishin të pranishëm përfaqësues të familjeve Gjinali, Toptani, Kadiu, Pazari, Banka, Shehri, Beshiri, Petrela, dhe Papajani. Përkatësisht pasardhës të dhjetë firmëtarëve të aktit të pavarësisë në Tiranë: Refik Toptani, Abdulla Gjinali, Xhelal Toptani, Sulejman Kadiu, Sheh Ahmet Pazari, Isuf Aqif Banka, Muderis Hysen Shehri, Myslim Beshiri , Selim Petrela, dhe Papa Nikolla Papajani. Krahas pinjollëve të këtyre familjeve, në këtë takim morën pjesë edhe përfaqësues të familjeve të pjesëmarrësve të tjerë në ngritjen e flamurit, si Dalliu, Maçi, Ndroqi etj. Në fjalën e tij, Basha nderoi familjet e vjetra të kryeqytetit, të cilat në një moment kyç të historisë luajtën një rol të rëndësishëm me ngritjen e Flamurit në Tiranë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›