Si do të hiqet e drejta e pronës kur rezulton si mbivendosje
Fshirja e regjistrimeve kryhet nga kryeregjistruesi, me kërkesë të regjistruesit të zyrës përkatëse të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, sipas përcaktimeve të bëra në Ligjin nr. 8485, datë 12.4.1999, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, në nenin 10, të Ligjit nr. 7843, datë 13.7.1994, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar, dhe në përputhje me përcaktimet e këtij udhëzimi. Kryeregjistruesi bën fshirje të regjistrimeve të bëra pas regjistrimit të parë, kur për të njëjtën pasuri ka më shumë sesa një regjistrim, pavarësisht faktit se për çdo njërën prej tyre, pas regjistrimit në origjinë (për herë të parë të titullit të pronësisë) janë kryer një apo më shumë transaksione, pjesore apo për të gjithë pronën dhe pavarësisht nëse ndonjëri apo të gjitha këto regjistrime janë të kryera në regjistrat e ish-hipotekës apo regjistrat e krijuara nga zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme”. Identifikimi i rasteve të mësipërme të regjistrimeve bëhet, kryesisht, nga regjistruesi, nga punonjësit e zyrave të regjistrimit të pasurisë së paluajtshme, gjatë shqyrtimit apo përpunimit të dokumentacionit, në zbatim te rekomandimeve të dhëna në raportet e kontrollit, të kryera nga organet shtetërore të kontrollit ose me kërkesë të palëve, të cilat preken nga këto regjistrime. Punonjësit e zyrave të regjistrimit të pasurisë janë të detyruar që, çdo herë, që shqyrtojnë dokumentacion, përpunojnë praktika të aplikuara nga shtetasit në sportele, ofrojnë apo kryejnë një shërbim si ato të parashikuara në Ligjin nr. 7843, datë 13.7.1994, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar, të verifikojnë, nëse për regjistrimin përkatës të pasurisë ekzistojnë kushtet e paligjshmërisë, sipas përcaktimeve të pikave 1 e 2, të këtij udhëzimi. Nëse rezulton një gjë e tillë atëherë çështja i referohet regjistruesit në formë të shkruar duke treguar hollësisht rrethanat dhe shkakun ligjor të paligjshmërisë. Në rast të kundërt bëhet shënimi përkatës sipas pikës 7, të këtij udhëzimi, ku të tregohet mungesa e mbivendosjeve apo kundërligjshmërisë, data dhe autorësia e kryerjes se verifikimit. Ky shënim bëhet pjesë e dosjes dhe i nënshtrohet verifikimeve eventuale të mëvonshme. Në rastet kur identifikimi i kundërligjshmërisë bëhet nëpërmjet kërkesës së palëve të interesuara që mund të preken prej saj, regjistruesi, përveç procedurës së verifikimit, të parashikuar në pikën 4 të këtij udhëzimi, verifikon edhe legjitimitetin e kërkuesit, nëse është titullar i një regjistrimi në cilësinë e pronarit, subjekt shtetëror, që ka në administrim apo pronësi ose avokati i shtetit. Kërkesa paraqitet e shkruar, sipas formularit tip, të miratuar nga kryeregjistruesi. Në rastet kur regjistruesi është vënë në dijeni, sipas pikës 3 të këtij udhëzimi, dhe ka identifikuar kundërligjshmërinë, sipas pikës 2 të këtij udhëzimi, duhet të kryejë këto veprime: a)Verifikon elementet e rastit të vënë re, aktit të regjistrimit/ve të kryer, për efekt të plotësimit të kushteve të regjistrimit, të përcaktuara në Ligjin nr. 7843, datë 13.7.1994, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar, dhe në nenet 192-197, të Kodit Civil. b)Verifikon në regjistër, evidenton dhe saktëson radhën kronologjike të regjistrimit të pronësive në ZRPP, në varësi nga radha e dorëzimit, të dokumentacionit ligjor në këtë zyrë, për rastet e krijimit të mbivendosjeve, pavarësisht faktit se kur është hartuar apo ka dalë titulli i pronësisë dhe kur janë bërë shënimet në regjistër.
15 Prill 2008