E Shtunë, 31 Tetor 2026

SAC punoi pa kontratë në Gërdec

• Kompania SAC ka punuar në Gërdec pa kontratë. Ish-drejtori i MECIO-s e ka paraqitur atë një ditë pas katastrofës së 15 marsit.

Skandali është konstatuar fillimisht nga Prokuroria e Tiranës, e cila ka bërë administrimin e gjithë dokumentacionit pas shpërthimit në ish-fabrikën e demontimit. Sipas Prokurorisë po hetohet një version sipas të cilit drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari, ka hartuar kontratën e munguar dhe ka bërë regjistrimin e saj në librin e ndërmarrjes vetëm pas shpërthimit në Gërdec. Gazeta "Panorama" ka mundur të zbulojë misterin e këtij veprimi, me të cilin lidhet një tjetër aferë me municionet e destinuara për demontim.
Kontrata e munguar
MEICO dhe kompania SAC janë penalizuar qysh ditën e parë të tragjedisë për mungesën e dokumentit themeltar në procesin e demontimit, që bëhej në ish-fabrikën e Gërdecit. Mungesa e marrëveshjes zyrtare, ishte skandali i parë që u artikulua në media me forcë. Si nëpër dhëmbë e pranuan në çastet e para këtë gati të gjithë zyrtarët e lartë. Vetë Kryeministri Berisha la të kuptojë në prononcimet e menjëhershme pas tragjedisë se diçka jo e rregullt kishte ndodhur me kontratën e dytë, që bënte fjalë për municionet e artilerisë që i ishin besuar kompanisë amerikane për t'i demontuar në Gërdec. Më vonë nuk e përmendi më njeri mungesën e aktit zyrtar. Madje, nga zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes vërshuan nëpër redaksitë e mediave fletët e kontratës së dytë, siç u quajt ajo e lidhur me SAC-in për demontimin e municioneve.
Kjo mbivendosje informacioni nuk e sqaroi asnjëherë të vërtetën për kontratën e munguar. Dalja në treg e dokumentit të saj pas disa ditësh nga katastrofa e 15 marsit, synonte përgënjeshtrimin e lajmit të parë se në Gërdec kishte filluar demontimi pa kontratë zyrtare. Po cila ishte e vërteta...
Manovra e Pinarit
"Kontratën e bëri Ylli Pinari më 16 mars, një ditë pas tragjedisë". Burime nga Prokuroria e Tiranës që kanë bërë kontrollin e dokumentacionit pas ngjarjes thonë se, këtë akt  zyrtar nuk e kanë gjetur në zyrat e MECIO-s. Sipas tyre, atë e ka paraqitur Ylli Pinari disa ditë më vonë. Në regjistrin themeltar të ndërmarrjes ku ishte dokumentuar kontrata e parë me SAC, prokurorët nuk kanë parë të regjistruar kontratën e dytë që MEICO pretendonte se kishte me SAC-in për demontimin e predhave dhe municioneve të artilerisë. Mbrëmjen e 15 marsit kur është bërë ky verifikim, ish-drejtori Ylli Pinari, ka qenë jashtë shtetit, në Gjermani. Rikthimi i tij është menduar se do ta sqaronte të vërtetëm e kësaj kontrate. Dhe në fakt manovra e tij filloi të përgënjeshtrojë lajmet e para se në Gërdec punohej pa kontratë.
Ish-kreu i ndërmarrjes e kishte rezervuar atë dhe menjëherë pas asaj që ndodhi e bëri prezent për organin e akuzës, por edhe për median.
Regjistri i ndërmarrjes
E gjithë manovra e Pinarit është bërë në regjistrin e ndërmarrjes që mbahet në sekretari. Sipas inspektorëve të Prokurorisë që kanë kontrolluar me imtësi dokumentacionin e MEICO-s, drejtori Pinari ka rezervuar një kolonë bosh në regjistrin e ndërmarrjes, të cilën e ka pasur të destinuar pikërisht për kontratën e SAC-it që nuk e kishte protokolluar pikërisht për qëllime abuzimi. Kështu, kolonën e datës 28 dhjetor 2007 që ish-kreu i MEICO-s e kishte parashikuar për regjistrimin e kontratës me SAC-in, mundi ta plotësojë më 16 mars 2008. Ka qenë vetë shefja e arkivit, Ana Vangjeli, që u ka pohuar hetuesve për urdhrin që i ka dhënë drejtori për ta mbajtur të paplotësuar kolonën e datës 28 dhjetor 2007. Të tjerë punonjës të administratës së ndërmarrjes dëshmojnë për këtë fakt, madje edhe për procedura të tjera që eprori i tyre i bënte në kushte të mistershme. Punonjësit e Prokurorisë, dyshojnë se me këtë shkelje Ylli Pinari kishte ngritur strategjinë e një afere tjetër abuzimi, që nënkupton deri te reduktimi i sasive të përftuara nga SAC. Gjithsesi, incidenti tanimë është në duart e drejtësisë.                  f.m\

“E vështirë të vërtetohet nëse boja është e freskët ose 3 mujore”

Boja e freskët nga ajo e vjetra dallohen mes tyre nëse ato do të kalojnë përmes veprimeve të një eksperti. Por kjo funksionon kur koha e kaluar është e madhe. Nëse ndryshimi është vetëm pak muaj, si në rastin e kontratës së dytë të MEICO, koha e përpilimit të saj është pothuaj e pamundur të përcaktohet. Këtë përgjigje i dha gazetës "Panorama" një ekspert kriminalist pasi u pyet për mundësinë e identifikimit të vjetërsisë së bojës së shkrimit në protokollin e MEICO, në kolonën ku janë regjistruar të dhënat e dokumentit të kontratës së dytë me kompaninë amerikane të demontimit të municioneve luftarake "Southern Ammunition Co". I njëjti pohoi se, nëse bëhet fjalë për një periudhë kohore prej tri muajsh, është e vështirë të përcaktosh nëse boja e përdorur është e re apo e vjetër. Të paktën deri tani mjetet që kriminalistika shqiptare ka në dispozicion, nuk e realizojnë dot këtë mundësi vërtetimi. Sipas ekspertit, gjithsesi ka edhe mënyra të tjera që mund të dallojnë një falsifikim, siç është metoda e krahasimit. Kështu dokumenti i dyshimtë mund të krahasohet me dokumente të rregullta të lëshuara në të njëjtën periudhë të pretenduar kohore. Nëse, qoftë boja e shkrimit, qoftë kaligrafia, cilësia e lloji i letrës ndryshojnë, atëherë mund të hidhen dyshime për falsifikime.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›