Hipertensioni te meshkujt, si hetohet dhe kurat trajtuese

Flet për “Standard” kardiologu Valer Manushi, doktor pranë Poliklinikës së Specialiteteve në Tiranë
Janë një milion shqiptarë që vuajnë nga hipertensioni. Ndërkohë që shumica prej tyre e dinë dhe kurohen në vendin tonë ekziston edhe një tjetër kategori që nuk e di se është mbartës i kësaj sëmundje. Fakt për këtë është edhe studimi i parë demografik shëndetësor i kryer një vit më parë nga ISHP ku evidenton se 90% e meshkujve vuajnë pa e ditur. Mjeku kardiolog Valer Manushi, në një intervistë për “Standard” tregon se edhe pas zbulimit të sëmundjes, meshkujt neglizhojnë trajtimin, në disa raste pas një viti ata e braktisin. Për këtë doktori shpjegon sëmundjen dhe pasojat që vijnë nga mostrajtimi i duhur i hipertensionit.
Çfarë është hipertensioni?
Hipertensioni është një sëmundje e përhapur gjerësisht që kap një pjesë të madhe të popullatës, sidomos me rritjen e moshës. Përqindja e popullatës gjithnjë e më shumë po shtohet dhe mund të shkojë deri në 25-30 për qind. në përgjithësi moti, stina e ftohtë, e acaron problemin e tensionit. Jo vetëm tek të sëmurët por edhe tek njerëzit që nuk kanë tension ka një ndryshim nga vera në dimër. Në rast se në verë mund ta ketë 10-12, në dimër i ftohti i ngushton enët e gjakut si pasojë rritet tensioni.
Si mund ta kuptojë një person luhatjet e tensionit?
Ata që vuajnë nga tensioni, ata që janë të diagnostikuar, që mjekohen duhet të kenë kujdes, në stinën e ftohtë, nga ngritja e tensionit. Për këtë ata duhet të bëjnë kontrolle të herëpashershme të tensionit arterial dhe në qoftë se konstatohet një çekuilibrim i tensionit atëherë duhet ti drejtohen mjekut për ti shkruar dozën e mjekimit në mënyrë që të arrihet të mbahet tensionit aty ku e kanë pasur.
A mund të quhen të sakta matjet e tensionit vetë në kushtet e shtëpisë?
Çdo person që mjekohet nga hipertensioni duhet të ketë një aparat në shtëpi, të bëjë edhe vetëkontrollin, aparati varet në përgjithësi varet nga cilësia. ai në rast se ka çrregullime mund ta kontrollojë disa ditë rresht. Në raste të tjera mund të kontrollojë një herë në javë, sipas mundësisë që kanë dhe kushteve. Por nuk duhet që të fiksohen pas matjeve.
Cilët janë faktorët që luhatin më shumë tensionin?
Pas festave, pas një shqetësimi nervor, pas një stresi familjar tensioni mund të luhatet. Pas këtyre ngjarjeve ndodhin aksidente vaskulare cerebrale të cilat lidhen me ngritjen e menjëhershme të tensionit. Prandaj duhet të kenë parasysh të mos abuzojnë me ushqimet me shumë kripë. Mos përdorin alkoolin, ushqimet me shumë yndyrë, pasi ndikojnë në ngritjen e tensionit. Konsumi i tepërt i kripës në ushqime si djathi apo në gjellë, perimeve të regjura, kurse dihet që njeriu ka nevojë për 3-4 gr kripë në ditë dhe mund të merret në bukë, apo ushqime të tjera. armiku i dytë i tensionit si duhanpirja dhe konsumi i kafeve të tepërta, kryesisht ekspres.
Si rregullohet atëherë?
Për këtë ka disa medikamente, në rast se nuk i përdor rregullisht, ndikojnë për shpeshtimin. Në rast se tensioni ka vajtur mbi 14 atëherë ata mund të përdorin një kokërr të verdhë e cila quhet adelat, shtypet dhe pihet. Futja e këmbëve në ujë të ngrohtë, përdorimi i hudhrave ndikon ën uljen e tensionit. E domosdoshme është mbajtja e medikamenteve të urgjencës të cilat ndikojnë në uljen e shpejtë të tensionit.
Në studimin e ISHP-së vlerësohet se 90% e meshkujve nuk e dinë që vuajnë nga hipertensioni. Cilat janë shenjat që duhet të merakosin për të ardhur më pas tek mjeku?
Një pjesë e madhe e popullatës mund të mos jenë koshientë që vuajnë nga tensioni. Shumë veta që vijnë këtu për kontrolle të ndryshme, nuk e dinë që vuajnë. Ka pasur shumë raste, që vijnë për të bërë kontrolle rutinë dhe aty e zbulojnë. Çdo njeri duhet të kontrollojë tensionin nga mosha 40 vjeç e lart, një herë në gjashtë muaj të bëjnë patjetër një kontroll. Shenjat që mund të orientojnë këta njerëz që janë me tension janë dhembja e kokës në pjesën e prapme, skuqje e herëpashershme e fytyrës ose e syve, miza para sysh, mjegullimi i pamjes, zhurmat në vesh. Të gjitha këto mund të tregojnë se ka një mbingarkesë të zemrës dhe bëjnë që njeriu të shkojë të kontrollohet për të zbuluar dhe për të drejtuar mjekimin si duhet.
Pas zbulimit të sëmundjes, si ecën ecuria e këtyre pacientëve?
Në fakt, ky është një tjetër problem në ndjekjen e një mjekimi adekuat. Për shkak se nuk heqin dorë nga pijet, nga të ngrënat, duke mos mbajtur një aktivitet fizik, ose ecja, gjë që ul hipertensionin. nuk zbatojnë këto. Nga disa pacientë tanët ka ndodhur që të marrin mjekimin dhe pas një viti të mos e vazhdojnë më, duke e ndërprerë mjekimin. Pasojat e të cilave janë të dëmshme, pasi tensioni rikthehet sërish. Rritja të tilla të tensionit sjellin pasoja të paimagjinueshme. Për këtë mjekët duhet të shpjegojnë të sëmurit se për efektet anësore. Pasi dihet që disa medikamente që japin efekte anësore. Kështu alfa bllokuesit, japin disa efekte tek meshkujt.
Hipertensioni, 90% e meshkujve vuajnë pa e ditur
Një në pesë femra dhe meshkuj në vend vuajnë nga hipertensioni, ndërkohë që 79% e të intervistuarve femra dhe 90% e meshkujve nuk e dinë që kanë tension të lartë. Studimi i parë Demografik dhe Shëndetësor i kryer nga Instituti i Shëndetit Publik dhe INSTAT pak kohë më parë ka evidentuar prevalencën e lartë të kësaj sëmundjeje, edhe pse nga specialistët klasifikohet si një faktor i rëndësishëm rreziku për sëmundjet e zemrës, goditjet dhe sëmundjet e veshkave. Te meshkujt, hipertensioni është i lidhur me statusin e duhanpirësit, ku prevalenca e hipertensionit është më e lartë te meshkujt duhanpirës sesa tek ata joduhanpirës 34 për qind dhe 23 për qind. Nivelet e hipertensionit janë më të larta mes të intervistuarave mbi peshë/obeze krahasuar me ato me peshë normale. Niveli i hipertensionit tek meshkujt obezë është 45 për qind krahasuar me 20 për qind të meshkujve me peshë normale. Femrat dhe meshkujt që jetojnë në zonat rurale 24 për qind dhe 31 për qind, përkatësisht kanë më shumë gjasa të jenë me hipertension sesa ata që jetojnë në zonat urbane 16 për qind dhe 24 për qind, përkatësisht. Femrat dhe meshkujt që jetojnë në Tiranën urbane kanë prevalencë shumë më të ulët të hipertensionit 5 për qind dhe 8 për qind, përkatësisht krahasuar me femrat dhe meshkujt që jetojnë në rajonet e tjera më shumë se 20 për qind e femrave dhe meshkujve. Gjashtë për qind e femrave dhe 3 për qind e meshkujve në moshën 15-49 vjeç u ishte thënë nga një mjek se kishin tension të lartë gjaku. Nga këto femra dhe meshkuj, katër në pesë, 82 për qind e femrave dhe 78 për qind e meshkujve, po ndërmerrnin ndonjë veprim për të ulur tensionin e lartë të gjakut. Dyzetë e dy për qind e femrave dhe 31 për qind e meshkujve që u ishte thënë se kishin tension të lartë të gjakut, raportuan se po merrnin ilaçe me recetë afërsisht një e treta e femrave, 32 për qind, dhe thuajse gjysma e meshkujve, 47 për qind, po përpiqeshin të kontrollonin peshën ose të binin nga pesha, ndërkohë që gjysma e femrave dhe meshkujve po pakësonin kripën në dietën e tyre, një në pesë femra dhe meshkuj po bënin ushtrime dhe më shumë se gjysma e femrave ku 54 për qind dhe një e katërta e meshkujve 29 për qind e kishin lënë duhanin.