E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjeshta spanjolle në fotografi

 

Në kuadër të Vjeshtës Kulturore Spanjolle “Shqipëria 2009”, vjen në Tiranë ekspozita “Maremagnum”. Një retrospektivë mbi tridhjetë vitet e fundit të punës së fotografit dhe dizenjatorit grafik, spanjoll, Jordi Socías. Ekspozita ofron 78 imazhe bardhë e zi dhe me ngjyra, të përzgjedhura nga vetë artisti. Në këtë edicion të  Vjeshtës Kulturore Spanjolle ‘Shqipëria 2009’, imazhet e Socías, nënkuptojnë një udhëtim nëpër momentet dhe personazhet kyç të metamorfozës së eksperimentuar nga shoqëria spanjolle. Shfaqja përmban gjithashtu një grup imazhesh që autori i përkufizon si “Situata të gjetura” si dhe imazhe të përditshme të qyteteve si Santiago de Kuba, Pekin, Londër, Barcelonë, Amsterdam…, dhe një galeri e gjerë portretesh në të cilat Jordi Socias ka ofruar  vizionin e vet personal mbi një numër të rëndësishëm personalitetesh, çelës për të kuptuar kulturën spanjolle dhe evropiane të katër dekadave të fundit: Dalí, Jorge Luis Borges, Leonardo Sciascia, Graham Green, Paul Bocusse, Vittorio Gassman, Alberto Moravia, Bernardo Bertolucci... Autodidadakt, intuitiv, krijues i një stili personal të trashëguar nga fotografët e mëdhenj, Jordi Socías filloi punën si reporter në dekadën e viteve shtatëdhjetë duke publikuar fotografitë e tij në revista si “Cambio 16”, “La Calle” dhe “Nuevo Por Favor”. Pioner në dizenjimin grafik, puna e tij si editor në “Cambio 16” pati një influencë të madhe në këndvështrimin fotografik të publikimeve spanjolle të kohës. Në vitin 1979 themelon agjencinë “Cover” dhe i jep një koncept të ri kulturës së imazhit të gazetarisë spanjolle. Ka bashkëpunuar në projekte të ndryshme, ekspozita (individuale dhe kolektive), libra, katalogë artesh, disqe, filmime dhe postera. Ka dhënë konferenca dhe ka marrë pjesë në kurse, workshope dhe juri  (World Press Photo, Fotopress, Caminos de Hierro, PhotoEspaña).  Ekspozita shoqërohet nga katalogu “Maremagnum”, Jordi Socías 1973-2005 i cili me 120 fotografi, sjell një kronologji të ilustruar të punëve të tij deri tani. Ekspozita hapet sot dhe do qëndrojë e hapur, deri në datën 15 nëntor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›