E Diel, 1 Nëntor 2026

Hipoteka bllokon 11 kadastra

Fermerët dhe pronarët e ndryshëm të rreth 11 zonave kadastrale në rrethin e Fierit, ende nuk kanë mundësi të kryejnë transaksione për tokën bujqësore, pasi nuk kanë në dorë certifikatën e pronësisë për tokën e shpërndarë nga Ligji 7501.

Në këto zona përfshihen edhe dy të tjera të qytetit të Fierit, ndërkohë që pjesa tjetër u përket disa fshatrave të rrethit. Sipas kreut të zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme, në Fier, Tomorr Allkushi, zonat në fjalë nuk kanë mundur të hyjnë në sistem nga projekti i Bankës Botërore, projekt ky i nisur prej vitit 1994, ndërkohë që ky problem mund të zgjidhet vetëm në raste emergjencash nga zyra qendrore me regjistrime të veçanta dhe vërtetim hipotekor.

"Ne mund të kryejmë vetëm ndonjë shërbim, që i quajmë të veçantë, emergjente për ndonjë hall familjar, ndërtim etj", thotë kryeregjistruesi i Fierit, Tomorr Allkushi. Të 11 kadastrat që nuk kryejnë transaksione për sipërfaqen e tokës bujqësore, janë dy nga zona e Fierit, pastaj nga Patosi, Roskoveci etj., të cilat zgjidhen me vërtetim hipotekor për efekt se nuk janë të përfshira në sistemin "tokë-ar". Për zonat në qytet, ku dy prej tyre së shpejti do të futen në sistem regjistrimi, është zhvilluar edhe tenderi për këtë qëllim dhe së shpejti do të mund të vijnë të bëjnë regjistrimin e zonave.

Megjithatë, pjesa më e madhe e zonave kadastrale janë futur prej vitesh në sistem hipotekor, ku përfshihen rreth 107, duke lehtësuar procedurat dhe përmbushur kërkesat për veprimet ndaj qytetarëve. Pritet së shpejti edhe përfshirja e 11 zonave në sistem, duke u dhënë mundësi fermerëve që të kenë në dorë certifikatën e pronësisë dhe të drejtën e transaksioneve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›