PS, kundër çmimeve të pronave të patundshme
Nënsekretari për Programin në PS, Ilir Beqja, akuzoi dje dy ministra të qeverisë shqiptare se kanë urdhëruar udhëzime antikushtetuese me të cilat përcaktojnë çmimet për të blerë pronat e patundshme. “Sipas një udhëzimi të fundit, dy ministrat, në mënyrë antikushtetuese, përcaktojnë çmimet me të cilat shqiptarët duhet të shesin e të blejnë patundshmëritë. Kushtetuta përcakton se Shqipëria është vend me ekonomi të tregut të lirë. Antikushtetues është edhe përcaktimi i masës së taksës me udhëzim ministrash, kur është Kushtetuta që përcakton se taksat caktohen me ligj”, - është shprehur nënsekretari për Programim në PS, Ilir Beqja. Beqja ka theksuar se qeveria nuk ka zbatuar një ndër parimet themelore të administrimit fiskal, atë që ka të bëjë me parashikueshmërinë. PS-ja i ka bërë thirrje Kryeministrit Berisha të mos e vendosë sipërmarrjen para faktit të kryer duke shkelur Kushtetutën dhe duke miratuar udhëzime që hyjnë në fuqi brenda ditës së publikimit.
KQZ, shqyrtim llojit të bojës matrikuluese
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje projektvendimin për llojin e bojës matrikuluese në zgjedhjet e 28 qershorit. Bazuar në Kodin Zgjedhor në nenin 99, pika 1, gërma “ë”, KQZ-ja përcakton detyrimin për të dërguar në KZAZ, jo më vonë se tri ditë nga data e zgjedhjeve, lëndë të posaçme për timbrimin e zgjedhësve. Bazuar në nenin 105, pika 1, gërma “dh”, të ligjit nr. 10019, datë 28.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës se Shqipërisë“, zgjedhësi timbroset në dorën e majtë nga një anëtar i caktuar me vendim të KQV-së, me një lëndë të posaçme të dukshme me shikim të lirë dhe që nuk hiqet për 24 orë, me qëllim shmangien e votimit më shumë se një herë dhe më pas i jepet fleta e votimit. Në zbatim të nenit 99 të Kodit Zgjedhor, KQZ-ja i pajis KZAZ-të me setin e përbërë nga: bojë matrikuluese e dukshme në shikim të lirë, e shoqëruar me doreza llastiku dhe shkopinj pambuku në sasi të mjaftueshme për timbrimin e zgjedhësve sipas qendrave të votimit.