E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyshimet për marrëveshje

Bankat komerciale në Kosovë po ngjallin dyshime se kanë marrëveshje interne që të mos ulet norma bazë e interesit. Këto dyshime i kanë edhe qytetarët. Po ashtu, edhe bizneset tjera jobankare.
Kështu kanë pohuar drejtuesit e Aleancës Kosovare të Bizneseve, në konferencën me temë “Interesi për kredi nuk ulet me apele, por me propozime konkrete”. Ata e mbështesin këtë në dallimin e madhe mes normave të interesit për kredi që është trefish me e lartë në krahasim me ato të depozitave.

Duke e argumentuar këtë gjë, Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, ka thënë se interesi në depozita mbetet 5 për qind, ndërsa për kredi 15 për qind.

“Kreditë në Kosovë mbesin si produktet më të kërkuara, por edhe me të shtrenjtat në regjion”, tha Shahini.

Si pasojë e kësaj dhe politikave tregtare, Shahini thotë se prodhimi dhe shërbimet e bizneseve kanë një kosto më të lartë dhe më pak të konkurrueshme, krahasuar me konkurrencën që vjen nga importi.

Megjithatë, njohësi i sistemit bankar dhe drejtori i Departamentit për ekonomi dhe financa në AKB, Milazim Abazi, tha se bankat nuk janë gjithmonë fajtore për kamatat e larta. Fajtorët kryesorë, sipas tij, janë institucionet e Kosovës, pasi nuk po i kthejnë në Kosovë paratë e investuara jashtë vendit.

“Afër 90 për qind të depozitave i kemi të investuara jashtë vendit me interes vjetor 1 për qind”, tha Abazi.

Sipas tij, duhet një vullnet i mirë i Qeverisë për t’i kthyer paratë e privatizimit dhe Trustit të investuara jashtë vendit, pasi depozitat do të rriteshin dhe kjo do të ndikonte në uljen e kamatave. Gjithashtu edhe suficitin buxhetor, që zakonisht nuk është më pak se 500 milionë euro, duhet investuar në sektorin bankar.

“Problem tjetër është edhe funksionalizimi i zyrave të përmbarimit dhe asaj të pengut. Si pasojë e kësaj, shumë lëndë në gjykatë me vite presin për t’u shqyrtuar”, pohoi Abazi.

Përfaqësuesit e bizneseve por edhe njohës të sistemit bankar thonë se Banka Qendrore e Kosovës duhet të caktojë normën bazë të interesit.

Edmon Hajrizi, rektor i UBT-së, tha se kjo gjendje është krijuar edhe nga pamundësia e BQK-së që të marrë vendime.

“Mendoj se BQK-ja mund të ndikojë që të caktojë normën bazë të interesit”, tha Hajrizi.

Duke pranuar se kamatat janë tepër të larta, Hajrizi shtoi se duhet, gjithashtu, që proceset gjyqësore të përshpejtohen, për shkak se edhe kjo po ndikon mjaft.

Nga ana tjetër, drejtuesit e Bankës Qendrore të Kosovës, disa herë kanë deklaruar se BQK-ja nuk përzihet, sepse është ekonomi e tregut të lirë dhe se tregu i kamatave varet edhe nga zhvillimi ekonomik i vendit. Megjithatë, për bizneset fitimi i bankave është shumë profitabil.

“Deri tani, biznesi i institucioneve financiare ka qenë shumë profitabil, por që është barrë te bizneset e tjera dhe qytetarët e Kosovës”, tha Shahini.
Andaj, AKB-ja rekomandon që përveç aprovimit të shumë ligjeve, shteti i Kosovës t’i kthejë të gjitha paratë që janë të investuara jashtë dhe me këtë të detyrojë Bankën Qendrore që të ulë normën bazë të interesit për kredi.

Rekomandimet e AKB-së

1. Ligji për themelimin e Agjencisë për garantimin e depozitave bankare të qytetarëve.
2. Amandamentimi dhe miratimi i disa neneve të Ligjit mbi menaxhimin e mjeteve të Fondit të privatizimit.
3. Amandamentimi dhe miratimi i ndryshimit të disa neneve të Ligjit për menaxhimin e parave të Trustit Pensional të Kosovës.
4. Mbajtja e rezervave buxhetore dhe suficitit buxhetor brenda sistemit bankar të Kosovës.
5. Hartimi dhe miratimi i Ligjit për letrat me vlerë.
6. Funksionalizimi i zyrave të kadastrës dhe zyrës së pengut, në mënyrë më të plotë.
7. Funksionalizimi më i fuqishëm i zyrave të përmbarimit.
8. Privatizimi i ndërmarrjeve publike.
9. Instalimi i shpejtë i arkave fiskale.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›