Prifti: I pamjaftueshëm numri i inspektorëve për kontrollin e kasave fiskale
Drejtori i Shërbimeve të Tatim-Paguesve, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Erion Prifti shprehet për mediat se numri i inspektorëve, të cilët janë duke ndjekur mirëfunksionimin e kasave fiskale nga bizneset nuk mjafton, prandaj të gjithë aktorët duhet të kontribuojnë në shmangien e evazionit fiskal. Sipas tij, janë vetëm 1600 inspektorë, të cilët janë të pamjaftueshëm për një kontroll të përditësuar të të gjitha bizneseve. Çdo ditë vendosen gjoba nga grupet e inspektorëve dhe përsëri ka shkelës të ligjit. Por ndërgjegjësimi i qytetarëve për të kërkuar kuponin tatimor dhe i tregtarëve për të deklaruar xhiron reale është puna më e vështirë. Megjithatë, me forcimin e ligjit evazioni fiskal do të vijë duke u ulur. Sipas Priftit, qytetarët duhet të kuptojnë se kjo do të thotë më tepër para në buxhetin e shtetit, që konvertohet në më tepër shërbime për ta.