Hipotekat, apel qytetarëve: Denonconi korrupsionin nga telefoni
Të gjithë qytetarët që kanë probleme të pazgjidhura me hipotekat e vendit, tashmë do të kenë mundësi të ankohen dhe të presin një zgjidhje. Kjo do të bëhet e mundur përmes publikimit ditën e sotme të një shërbimi të quajtur “Linja Direkte”, ku përmes një numri pa pagesë qytetarët nga i gjithë vendi do të paraqesin ankesat e tyre për funksionimin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Kjo linjë është ideuar dhe realizuar, duke pasur si objektiv të saj kryesor transparencën dhe luftën antikorrupsion. Në funksion të këtij objektivi, kjo linjë do të sigurojë mundësinë për publikun në depozitimin e mesazheve dhe ankesave të mundshme të tij për vonesa dhe shërbime të papërshtatshme, apo edhe për denoncime të praktikave korruptive, të përpunojë e vlerësojë informacionin, të adresojë për zgjidhje në bazë të ligjeve dhe rregullave të gjitha çështjet. Po kështu si objektiv i krijimit të saj është edhe vendosja e një komunikim efikas dhe të ndërsjellët me publikun. “Në përmbushje të objektivit të tij kryesor, si edhe në funksion të ndërtimit të marrëdhënieve sa më të drejtpërdrejta me publikun, projekti “Linja Direkte” parashikon dhe realizon një cikël të mbyllur të mesazheve dhe ankesave që mbërrijnë nga publiku”, thekson zyra qendrore e hipotekave, nëpërmjet një njoftimi për shtyp. Po kështu, ky njoftim thekson se projekti, nëpërmjet këtij sistemi, parashikon dhe mundëson depozitimin e kërkesës, zgjidhjen e problemit dhe kthimin e përgjigjes për qytetarin e interesuar. Përveç linjës telefonike pa pagesë, qytetarët do të kenë mundësinë e një komunikimi më të hapur me hipotekat edhe nëpërmjet adresave elektronike në internet dhe po kështu edhe nëpërmjet faqes zyrtare të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Nga ana tjetër, “Linja Direkte” pritet të jetë një ndihmë edhe për vetë ZQRPP-në, për të adresuar dhe evidentuar problemet e mundshme të saj. Që ky proces të jetë sa më efikas, është parashikuar dhe përgatitur Fushata dhe Strategjia e Informimit Publik për këtë linjë.
#