E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenca belge, ambasadori shpall programin

BE

Ambasadori i Belgjikës në Shqipëri, Marc Michielsen, pritet të shpalosë sot në detaje prioritetet e presidencës gjashtëmujore të Bashkimit Europian, që deri në dhjetor mbahet nga Brukseli. Ambasadori Michielsen do të mbajë sot në mesditë, në sallën e informacionit të BE-së në Tiranë, një konferencë shtypi në lidhje me prezantimin publik të programit të Presidencës belge të Bashkimit Europian. Në këtë takim do të marrë pjesë edhe kreu i delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan.

Ambasadori Michielsen pritet të sqarojë më hollësisht qëndrimin e qeverisë belge për çështjen e vizave dhe statusin kandidat, duke bërë të ditur se cili nga vendet e Ballkanit është prioritet. Javën e shkuar, si Kryeministri belg, Iv Leterme, ashtu dhe shefi i diplomacisë Steven Vanackere, nuk kanë dhënë një datë në të cilën shqiptarët do të kenë mundësi të lëvizin pa viza në Europë. Leterme dhe Vanackere, në një konferencë për shtyp të mbajtur më 25 qershor në Bruksel, prezantuan prioritetet e presidencës belge. Në këtë konferencë ata deklaruan se për të përfituar një regjim të liberalizuar vizash, Shqipëria duhet të ndihmonte fillimisht veten. Në mënyrë të qartë, Kryeministri belg, Leterme, theksoi se liberalizimi i vizave ishte një proces që zhvillohej në bazë të meritave të çdo vendi dhe për këtë arsye nuk kishte një datë të saktë se kur Shqipëria do të përfitonte liberalizim. “Shumë shtete kërkojnë liberalizimin e vizave, për ta është shumë simbolike, por dhe një mënyrë praktike për të realizuar lëvizjen e lirë të njerëzve. Ne jemi në dijeni të kësaj rëndësie, por ne gjithashtu insistojmë, e këtu nuk ka asgjë armiqësore, sepse kjo shkon me logjikën e kushtëzimit, që këto duhen plotësuar në mënyrë që të merret liberalizim vizash”, deklaroi Kryeministri belg, teksa u pyet për kohën në të cilën liberalizimi do të bëhej realitet. Sipas tij, një rëndësi të madhe në këtë proces do të kishte edhe verifikimi në terren i standardeve që kërkohen nga ana e Komisionit Europian për liberalizimin e vizave. Në këtë kuadër, Leterme theksoi rëndësinë e madhe që kishte plotësimi i kushteve fillimisht nga Shqipëria, për sa i përket lëvizjes së lirë të qytetarëve të saj. Por ai nuk harroi të theksojë se presidenca belge do ta shikonte me pozitivitet këtë proces, sepse ishin 200 milionë njerëzit të cilët kërkonin të lëviznin pa barriera vizash në Europë. “Na ndihmoni, që t’ju ndihmojmë. Pra rregulloni ato çështje të domosdoshme, në mënyrë që të bëni progres në këtë fushë. Mbyllja e derës nuk është opsion, sepse BE kërkon që të jetë hapësirë e hapur për ata që duan të vijnë e të bëjnë biznes, por kjo duhet bërë në mënyrë të rregullt”, deklaroi Kryeministri belg, vendi i të cilit mori presidencën e BE-së më 1 korrik.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›