E Diel, 1 Nëntor 2026

Selia blu, ende pezull zgjedhjet për strukturat

Partia Demokratike pritet ta mbledhë në vjeshtë Këshillin Kombëtar

Partia më e madhe në pushtet ende nuk ka përfunduar procesin e brendshëm të zgjedhjes së strukturave të saj partiake. Kështu PD ende nuk ka mbledhur Këshillin Kombëtar të saj, i cili do të bënte të mundur zgjedhjen e anëtarëve të rinj të kryesisë qendrore të demokratëve dhe nga ana tjetër do të zgjidhte sekretariatin e ri të PD-së. Burimet brenda PD-së, bëjnë të ditur se Këshilli Kombëtar pritet të mblidhet vetëm në fillim të muajit shtator. Kjo për arsye se klima politike në vend nuk ka qenë tepër e përshtatshme dhe se energjitë e PD përveçse në qeverisje, janë harxhuar edhe për zgjidhjen e krizës politike me Partinë Socialiste. Nga ana tjetër, mbledhja e më shumë se 100 anëtarëve të këshillit brenda muajve të verës nuk është e lehtë dhe për këtë arsye shtyrja e mbajtjes së këshillit vjen edhe si një nevojë praktike për demokratët. Në këtë mënyrë pritet që PD të mos bëjë brenda këtyre muajve edhe zgjedhjen e kryesisë së re të saj dhe sekretariatit. Vijimi i shtyrjeve të mbledhjes së këtij forumi të lartë përmes të cilit pritet të zgjidhet kryesia e re e demokratëve, ka nisur prej dhjetorit të vitit të kaluar. Fillimisht Kryeministri, njëkohësisht kryetari i PD-së, Berisha, theksoi se Këshilli Kombëtar do të mbahej në janar dhe më pas në shkurt, por deri tani mbledhja e tij për një arsye ose tjetrën nuk ka qenë e mundur. Sipas statutit të PD-së, do të jetë kryetari i partisë, Berisha, i cili do t’i paraqesë Këshillit Kombëtar edhe listën me 38 kandidatura, mes të cilave anëtarët e këtij këshilli do të zgjedhin me votim të fshehtë 25 anëtarët e kryesisë së re të demokratëve. Po kështu, sipas statusit të drejtën për t’i bërë propozime e ka edhe vetë ky këshill, kryesia e PD-së, kryesitë e degëve, dhe jo më pak se 15% e anëtarëve të Kuvendit kombëtar me të drejtë vote, të shpërndarë në të paktën pesë degë të PD-së. Përveç çështjeve teknike të mënyrës së përcaktimit të kandidaturave, burime brenda demokratëve bëjnë të ditur se favoritë për të qenë pjesë e kryesisë të re janë edhe 30 emrat e parë më të votuar të Këshillit Kombëtar, të mbajtur në dhjetor të vitit të shkuar. Po kështu, gara për kryesinë e re të demokratëve, pritet të ofrojë edhe surprizat e saj, nisur edhe nga deklaratat e Kryeministrit Berisha se rinovimi i strukturave është një politikë që PD do ta ndjekë në këto zgjedhje. Po kështu, rinovimi dhe shtimi i posteve pritet të ndodhë edhe në sekretariatin e Partisë Demokratike. Por duket se asnjë ndryshim nuk do të ketë në emrat kryesorë të kryesisë aktuale dhe emrat që mbajnë postet e Sekretarit të Përgjithshëm dhe dy nënkryetarëve demokratë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›