E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanja në çatinë e botës

Injesta u fal spanjollëve Olimpin pas 120’, dështim i holandezëve

Botërori njeh padronin. Në çatinë e botës ngjitet Spanja, falë Adre Injestës, i cili realizoi golin e vetëm të kësaj finaleje spektakolare, e cila ka dhuruar vetëm një gol, por emocione dhe shumë tension. Ndërsa Holanda nuk thyen dot tabunë në finalen e tretë të saj. Pjesa e parë është mbyllur në barazim 0-0. Kanë qenë 45 minuta paksa të mërzitshme, të karakterizuara nga një nervozizëm në fushë (pesë të ndëshkuara me kartonin e verdhë dhe De Jon, i cili ka rrezikuar seriozisht ndëshkimin me karton të kuq, për shkak të një faulli me takat e ngritura ndaj Ksavi Alonso). Spanjollët kanë luajtur më mirë, por Holanda është kujdesur më shumë të ngadalësojë aksionet e kundërshtarëve dhe të luajë në kundërsulm. Gjithsesi, nga pikëpamja e rasteve për gol ishte Spanja ajo që ka pasur frenat e lojës në dorë, mbi të gjitha në minutat e para të lojës. Në minutën e 5-të Stekelenburg ka bërë mrekullinë në goditjen me kokë nga shumë pranë të Serxhio Ramos; pak minuta më pas ka qenë radha e David Vijës, i cili ka gjuajtur nga një pozicion shumë i mirë, por ka mundur të prekë vetëm rrjetën e jashtme. Holanda ka rrezikuar të kalojë në avantazh në minutën e 33-të, kur një trajektore e çuditshme e topit Jabulani për pak sa nuk ka befasuar Kasijasin: por e veçanta ka qenë në faktin se Heitinga po i rikthente topin kapitenit iberik pas një ndërprerjeje të lojës. Në minutat e shtesës së pjesës së parë, Kasijasit i është dashur të grushtojë në goditje këndi një gjuajtje të hidhur të Robenin nga jashtë zonës. Edhe në pjesën e dytë është Spanja ajo që kërkon të mbajë ritmin dhe rrezikon me Puyol nga goditja e dënimit. Pedro është i palodhur, por nuk ka mbështetjen e një Spanje, e cila më shumë nga vuajtja e presioni i lojës së holandezëve, duket e shqetësuar dhe pa kurajë në ndërtimin e lojës së saj. Por Holanda është më agresive në pjesën e dytë, prish çdo aksion të kundërshtarëve me faulle, duke i nervozuar ata. Ndërkohë që nderon kundërsulme të rrezikshme: provon me Van Persin, ndërsa është Roben që humbet rastin më të pastër, pas një asisti të marrë nga Shnajder, gjendet vetëm për vetëm me Kasijas, por hipnotizohet nga ky i fundit kur tenton driblimin dhe portieri ia heq topin me këmbë. Minutat në vazhdim janë me një Spanjë që qarkullon pafund topin dhe krijon raste të pakta për shënim. Më të shumta kanë qenë gjuajtjet e shumta të Vijës, që humbet edhe një rast të artë, dhe një goditje me kokë e Serxho Ramos nga shumë pranë. Ndërsa rivalët e tyre kanë një tjetër rast të mirë me Robenin, i cili tregohet i ngathët dhe në momentin e fundit është bllokuar ndoshta në mënyrë paksa të parregullt nga Pujol, që i jep mundësi Kasijasit të largojë topin. Kohët shtesë janë të pashmangshme. Në 15 minutat e para është Spanja e cila dominon me aksione të shumta të rrezikshme, por ai i Fabregasit, i bllokuar me fat nga Stekelenburg, është më i rrezikshmi. Në 15 minutat e dyta të shtesës, Heitinga bllokon në mënyrë të parregullt Injestën dhe gjyqtari i jep kartonin e dytë të verdhë, rrjedhimisht i kuq, që lë me 10 lojtarë Holandën. Pas 116 minutash Injesta shënon golin më të rëndë të këtij Botërori (të dytin personal), i cili i ka dhuruar Spanjës Olimpin e globit. Ndërsa për holandezët është dështimi në finalen e tretë në historinë e tyre. Ndërsa goli i Andres Injestës, përveçse e ka bërë atë pretendentin kryesor për “Topin e Artë” dhe FIFA “World Player” të këtij viti, i ka hapur rrugën festës së madhe për trofeun e parë madhështore në futbollin ndërkombëtar.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›