SHISH, sot prezantohet drafti i ri në Komisionin e Sigurisë
Projektligji “i vjetër” i qeverisë për Shërbimin Informativ Shtetëror, bashkë me ndryshimet “e reja”, do të rikthehet në Kuvend për shqyrtim nga fillimi. Komisioni i Sigurisë Kombëtare do ta nisë punën ditën e sotme, ku do të jenë të pranishëm edhe grupe të interesit dhe ekspertë të huaj. Një ekspert britanik i OSBE-së ka marrë përsipër të asistojë në ndryshimet që do t’i bëhen draftit aktual. Projektligji për SHISH është caktuar në kalendarin e punimeve të Kuvendit dhe do të shkojë për votim në seancën plenare të 22 korrikut. Ndryshimet në ligjin e Shërbimit Informativ Shtetëror pritet të miratohen në përputhje me të gjitha kërkesat ndërkombëtare, duke mos përfshirë në të kufizimin e mandatit të kreut të SHISH-it dhe kontrollin nga ana e Kryeministrit. Burimet bëjnë të ditur se në ndryshimet e reja që po i bëhen këtij ligji, Parlamenti shqiptar do të ketë të drejtën të ushtrojë kontroll të drejtpërdrejtë ndaj Shërbimit Informativ Shqiptar. Drafti ligjor, i cili do t’i mundësojë ligjvënësit të drejtën për të kontrolluar institucionin e “sekreteve”, është duke u përgatitur nga deputetët demokratë të Komisionit Parlamentar të Sigurisë në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë të fushës, të cilët kanë ardhur nga vende të ndryshme të botës. Nevoja për ekspertizë ndërkombëtare në lidhje me këtë çështje vjen për faktin e “brishtësisë” së këtij institucioni dhe po kështu lidhet me faktin se kjo eksperiencë po huazohet nga vendet e tjera. Burime bëjnë të ditur se kontrolli nga ana e Parlamentit për këtë institucion deri tani nuk ishte i mundur, për shkak se mungonte ligji, i cili tashmë do të kalojë për diskutim në komisionet parlamentare në datë 22 korrik. Nga ana tjetër, ende nuk dihet nëse përfaqësuesit e opozitës në Komisionin Parlamentar të Sigurisë do të marrin pjesë në diskutimin e kësaj nisme të re dhe po kështu nuk është e qartë nëse opozita do ta mbështesë kontrollin parlamentar të SHISH-it. Ajo që dihet është fakti që sa herë ligji i SHISH-it është menduar të amendohet, nuk kanë munguar edhe reagimet e forta të ndërkombëtarëve në Shqipëri, të cilët theksojnë me forcë rëndësinë që ka pavarësia e këtij institucioni.
#