E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hipotekat, regjistrim fillestar për 500 mijë pasuri

23/07/2010 Ndryshe nga herët e tjera, baza e procesit do të jetë harta topografike

Rreth 500 mijë pasuri të paluajtshme në të gjithë vendin do të përfshihen në procesin e regjistrimit fillestar nga Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Ky proces që ka nisur në disa zona kadastrale të qyteteve ndryshe nga regjistrimet e tjera të kryera ndër vite, këtë herë do të kenë si bazë hartën topografike. Regjistrimi kryhet falas nga shteti, por qytetari duhet të bashkëpunojnë me firmat për t’i dhënë dokumentacionin që nevojitet për të saktësuar pasurinë. Ndaj përfaqësues të ZRPP-së i bëjnë apel qytetarëve që të verifikojnë listat përpara se të dhënat të hidhen në sistem. Procedura e re saktëson se “individët, familjet dhe personat juridikë, privatë apo shtetërorë, që zotërojnë këto dokumente pronësie, por nuk kanë të përcaktuar në to sipërfaqen e pasurisë së paluajtshme, kanë të drejtë t’i paraqesin regjistruesit të ZVRPP-së, një kërkesë për regjistrim pronësie, në mënyrë që të fillojë procesi i regjistrimit. Kjo kërkesë duhet të shoqërohet me dokumentin e pronësisë, një plan-vendosje apo genplanin e pasurisë, deklaratën noteriale të pronarëve fqinjë që vërtetojnë përmbajtjen e kërkesës për pronësinë dhe kufijtë e pasurisë që pretendohet si dhe kopje të vërtetuara nga noteri të dokumenteve të ndryshme që mbështesin kërkesën për regjistrim. Në kuadër të kësaj procedure, pasi plotësohet dokumentacioni i kërkuar, përgatitet Kartela e Pasurisë se Paluajtshme për pronën dhe dokumentohen kufijtë e kësaj prone në Hartën Treguese të Regjistrimit. Regjistrimi fillestar i pasurive të paluajtshme do të nxjerrë në pah edhe gabimet teknike, apo mbivendosjet e kryera ndër vite, çka do të thotë se qytetarët që janë të prekur nga këto gabime do të mund t’i rregullojnë për të pasur një certifikatë pronësie të pastër.

Afishimi i emrave

Afishimi i emrave të pronarëve të pasurive të paluajtshme është një ndër pikat më kryesore të të gjithë procesit të regjistrimit të pronës, pasi deri në këtë moment shërbimi ofrohet falas, ndërsa më vonë korrigjimet e mundshme do të bëhen kundrejt pagesës së caktuar. Në rast se, aplikuesit konstatojnë pasaktësi duhet të paraqesin një kërkesë duke saktësuar gabimin te personi i autorizuar nga kompania për afishimin publik.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›