Hipotekimi Bashkia e Tiranes apel subjekteve ndertuese

Bashkia e Tiranës po punon për të përmbyllur procesin e hipotekimit të të gjithë banesave të pahipotekuara, por të ndërtuara me leje në territorin e Bashkisë së Tiranës. Një fakt i tillë u bë i ditur nga vetë ky institucion ku përmes një deklarate të vënë në dispozicion për mediat informoi se aktualisht, Bashkia e Tiranës ka pajisur me lejen e përdorimit, për një sipërfaqe prej 445000 m2, ku përfshihen 2800 apartamente banimi, ambiente tregtimi, parkimi etj. Mbi 12 mijë qytetarë janë përfitues të drejtpërdrejtë nga ky proces.
Njëkohësisht, Bashkia e Tiranës ka përfunduar procedurat e saj edhe për 13 subjekte të tjera, me një sipërfaqe prej 81 983 metra katrorë, ku përfshihen 545 apartamente banimi.
Por, sipas bashkisë, përmbyllja e këtij procesi dhe dërgimi i dosjeve për hipotekimin po zvarritet nga subjektet ndërtues, të cilët nuk plotësojnë dokumentacionin e kërkuar me ligj, edhe pse bashkia e ka reduktuar atë në masën 50%.
Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës bëri të qartë qëndrimin e saj se është e vendosur që qytetarët e kryeqytetit, të mos mbeten peng i papërgjegjshmërisë së disa subjekteve ndërtuese, duke ndërmarrë dhe penalizimet përkatëse ndaj kompanive që zvarrisin procesin, ku paralajmëroi se ato do të futen në listën e zezë të Bashkisë së Tiranës dhe do të ketë një marrëdhënie të kushtëzuar me to, deri në përfundim të këtij procesi sipas ligjit.