E Diel, 1 Nëntor 2026

Hiqen faturat aforfe, faturimi me matës

04/05/2010 Nëse do të vijojë ky faturim i energjisë, qytetarët rimbursim për faturat e paguara

Përfundon afati i aplikimit të faturave aforfe. Që nga data 1 maj, nuk do të përdoren me faturat aforfe, por çdo faturim do të bëhet në bazë të matësave të energjisë elektrike. Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta, ka bërë të ditur dje se sipas vendimit të mëparshëm, duke filluar nga data 30 prill, OSSH e ka të ndaluar të aplikojë në vazhdim faturime aforfe. Sipas tij, nëse do të ketë raste të kësaj natyre, qytetarët duhet të drejtojnë ankesa dhe më pas të rimbursohen për faturat e paguara. Nepravishta thekson faktin, se nuk do të ketë më shtyrje të afatit për faturimet aforfe dhe se çdo shkelje e këtij vendimi do të jetë kosto që do paguhet nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes. Ndërkaq, sipas drejtuesit të ERE-s, bëhet me dije se Operatori i Shpërndarjes ka bërë pajisjen me matëse të të gjithë konsumatorëve. Enti Rregullator i Energjisë njoftoi muaj më parë se data 30 prill është fundi i afatit i përdorimit të faturave aforfe dhe nisja e faturimeve plotësisht në bazë të matësve. Çdo faturim që do të bëhet aforfe, do të duhet të rimbursohet nga ana e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Sistemi i faturimit aforfe të energjisë elektrike llogaritej sipas kritereve që kishte vendosur Enti Rregullator i Energjisë. Në Tiranë qytet një familje, e cila nuk ishte pajisur me matës paguante deri në 400 kilovat orë energji aforfe, e cila faturohej me çmimin prej 7,7 lekë për kilovat për 300 kilovatët e parë dhe 13,5 lekë për kilovat për 100 kilovatët e tjerë. Këto çmime ishin të përcaktuara edhe nëse familja harxhon një sasi më të madhe se kaq. Me anën e vendimit të datës 22 dhjetor të vitit të kaluar ERE-ja ka përcaktuar se klientëve familjarë të energjisë elektrike nuk mund t’u aplikohet më vonë se prilli i këtij viti faturimi aforfe, pra pa matës. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes në faturimet për muajin janar, shkurt, mars dhe prill ka zbatuar tabelat për 39 rrethet dhe fshatrat e përcaktuara nga Enti Rregullator i Energjisë. Ekspertët e OSSH-së presin që të kenë afërsisht 20 mijë – 25 mijë lidhje të reja në vit. Sipas tyre, pjesa e mbetur 2 për qind deri në 3 për qind e klientëve pa matës janë klientët tipikë, që kanë lidhje me zonat që historikisht kanë pasur një rrjet sekondar shumë të varfër (tensioni i ulët), ku instalimi i matësve duhet të ndjekë një rikonstruksion të plotë të lidhjeve, p.sh linja kabllore të reja/linja ABC, kabllot për lidhjen me klientin dhe bokset (kutitë) për matësit. Për pajisjen me matëse të konsumatorëve kompania çeke ka bërë një investim mujor prej gati 12 milionë eurosh.

Aforfeja

Kjo mënyrë arkëtimi u përdor në Shqipëri në një periudhë kur KESH-i po haste probleme me faturimin dhe grumbullimin e pagesave për përdorimin e energjisë elektrike. Në këtë mënyrë për një periudhë kohe të përkohshme, u zbatuan faturat aforfe kur qytetarët paguanin një shumë të caktuar fikse, pavarësisht nga përdorimi dhe nga disponibiliteti i energjisë.

Sahatet

Për të qenë transparentë me konsumatorët, në të ardhmen leximi i aparateve matëse do të bëhet në mënyra bashkëkohore. OSSH-ja ka marrë parasysh që kapakët e kutive të jenë me xham, në mënyrë që qytetarët të shohin matësit e tyre. Ndërkohë mendohet që leximi i matësve të bëhet me skaner, në përputhje me sistemet satelitore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›