AvP: Tenderët zvarriten qëllimisht, duke favorizuar korrupsionin
Edhe pse është instaluar sistemi elektronik i procedurave të prokurimit publik, sërish konstatohen probleme të rënda në dëm të interesave ekonomike të vendit. Numri i ankesave nga biznesi për tenderët që kryen administrata shtetërore sa vjen dhe rritet, ndërsa shkeljet vijojnë të përsëriten, në disa raste edhe qëllimisht. Në raportin e fundit për vitin 2009, Avokati i Prokurimeve vë në dukje një sërë mangësish gjatë procedurave në tenderë, duke fajësuar entet kontraktuese (institucionin shtetëror) për shkelje të ligjit, mosrespektim të afateve, madje deri në konstatimin se një pjesë e tenderëve anulohen qëllimisht për favorizime korrupsioni.
“Anulimi i tenderëve shpeshherë është bërë me qëllim për të kaluar në procedurat e prokurimit me negocim apo të drejtpërdrejta, duke i justifikuar këto veprime me mungesën e konkurrencës nga operatorë seriozë”, thekson Avokati i Prokurimeve. Raste kur janë anuluar tenderët, me qëllim vazhdimin e kontratave pa konkurrencë, janë konstatuar nga autoritetet kontraktore si qendra spitalore universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, Universiteti i Shkodrës, Drejtoria Rajonale Rrugore Elbasan etj.
Në raportin e vitit 2009, AvP-ja u ka kushtuar rëndësi procedurave që ndjek Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës sa u takon koncesioneve në hidrocentrale, duke evidentuar një mori shkeljesh të ligjit. Në raport thuhet se “janë konstatuar vonesa të pajustifikuara në shqyrtimin e ofertave, të cilat jo vetëm cenojnë besimin e biznesit për drejtësinë e vendimeve, por dëmtojnë edhe interesat ekonomike”. AvP përmend rastet me shkelje të hidrocentraleve, kryesisht të vogla, si HEC-et në lumin Fan i Vogël në Mat, Përroin e Gurrës në Elbasan, Ujanik, Skrapar etj.
Avokati i Prokurimeve e ka dërguar këto ditë raportin vjetor në Kuvend, ku pritet të ketë debate. Gjatë vitit 2009, sipas Avokatit, ka pasur 526 ankesa nga subjektet private për tenderët e zhvilluar. Në total, sipas raportit, ka pasur 274 hetime administrative ndaj ankesave, sepse argumentet e ofertuesve ishin të mjaftueshme për të nisur një hetim. Në 252 raste të ankesave të paraqitura është bërë shqyrtimi administrativ. Sipas raportit, ka pasur 59 raste të nisura nga vetë institucioni për hetim administrativ. Në 143 raste është dhënë rekomandimi për anulimin e procedurave të tenderimit, nisur nga shkeljet e konstatuara.
#