E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hiqen nga Interpoli emrat e Thaçit e Çekut

 

Emrat e ish-kryeministrit të Kosovës, Agim Çeku dhe kryeministrit aktual, Hashim Thaçi, janë hequr pa zhurmë nga lista e fletarrestimeve të Interpolit. Ngjarja që ka çuditur zyrtarët në Beograd nuk ka gjendur ende shpjegim. Sipas RTK, bazuar në raportimet e mediave serbe, “janë fshirë nga fletarrestimet e Policisë së Interpolit, Kryeministri i tanishëm i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri, gjenerali Agim Çeku, duke e lënë Beogradin të befasuar”. Në këtë mënyrë, si Thaçi ashtu edhe Çeku, mund të udhëtojnë lirisht në 187 vende anëtare të organizatës ndërkombëtare policore, pa pasur frikë se mund të ndalohen për shkak të kërkesës së Serbisë për arrestimin e tyre. Sipas informacioneve të siguruara nga mediat, heqja e emrave të dy liderëve të Kosovës nga lista e fletarrestimeve, ka ndodhur që në kohën e ministrit të Policisë serbe, Dushan Mihajlloviç, por gjithçka ka ndodhur në heshtje. Deri dje, askush nuk ka ditur asgjë mbi këtë heqje mase, madje edhe vetë hetuesit dhe gjykatësit, të cilët janë marrë me këtë çështje, kanë njoftuar mediat serbe. Ministri aktual i Policisë serbe, Ivica Daçiç, ka premtuar se do të hetojë rastin dhe do të zbulojë kush i ka hequr fletarrestimet dhe pse e ka bërë një veprim të tillë. Në një konferencë për mediat serbe, Daçiç ka deklaruar se do të rihapë çështjen e kthimit të fletarrestimeve kundër Hashim Thaçit dhe Agim Çekut, ndërsa do të kërkojë që të ngrihet përsëri edhe fletarrestimi për ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, për të cilin serbët deklarojnë se është liruar padrejtësisht nga akuzat për krime lufte në Gjykatën e Hagës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›