SHBA, Dhoma Përfaqësuese rrëzon planin e Bush, reagon Shtëpia e Bardhë
Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara rrëzoi planin e qeverisë për ndihmën financiare të industrisë, i cili do t’i kushtonte taksapaguesve amerikanë 700 miliardë dollarë. Ligjvënësit kanë injoruar kështu thirrjet e presidentit Bush, i cili edhe pak orë para votimit tha, se miratimi i planit ishte i domosdoshëm për të shpëtuar ekonominë dhe industrinë amerikane. 228 vota ishin kundër planit dhe 205 pro, duke bërë kështu që projekti i administratës së Bushit të mos vihet në jetë. Bush dhe disa figura të Kongresit i janë përgjëruar ligjvënësve të Dhomës që ta miratonin marrëveshjen, me gjithë protestat kundër saj. Tashmë lind edhe pyetja për kongresmenët se çfarë do të duhet të bëjnë pas kësaj. Të mërkurën pritet që Senati amerikan të votojë marrëveshjen, për të cilën vetëm një ditë më parë ata deklaruan se kishin rënë dakord me qeverinë për kornizat e saj dhe kishin mbetur vetëm pak detaje për të sqaruar. Me afrimin e zgjedhjeve presidenciale më 4 nëntor, nuk ka asnjë qartësi ekonomike dhe nuk dihet as nëse zgjedhjet do të zhvillohen në Uashington. Shtëpia e Bardhë shprehu zhgënjimin mbi refuzimin e planit. “Nuk ka asnjë dyshim se vendi po përballet me një krizë të vështirë. Presidenti do të takohet me ekipin e tij për të diskutuar hapat në vazhdim”, tha një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë. Legjislacioni i propozuar nga administrata do t’i kishte lejuar qeverisë të blejë aksionet e këqija dhe asete të tjera të prishura nga bankat në vështirësi dhe institucionet financiare. Heqja e borxheve prej tyre do të nxiste lulëzimin dhe zhvillimin e institucioneve financiare në SHBA dhe kompanitë do të gjenin balancën e tyre.