Dy orë debat në klub,Xhani konfirmon Likën
Molgen Balena
Një mbledhje maratonë prej dy orësh, që ka pasur në qendër përpjekjet për zgjidhjen e “gjendjes së jashtëzakonshme” dhe mbi të gjitha sqarimin e marrëdhënieve midis palëve. Jo vetëm mes Xhanit e Likës, që si përfundim ka mbetur ashtu si më parë, por edhe mes skuadrës e teknikut, sidomos pas rastit Bakaj dhe paraqitjes përballë Apolonisë. Ndonëse në përfundim duket se nuk ka pasur asnjë zhvillim real. Pavarësisht se diçka ka ndodhur vërtet pas ndeshjes së të dielës, Xhani ka dashur ta mohojë në mënyrë jo shumë bindëse idenë e largimit të mundshëm të Likës: “Ju mediat mendoj se duhet të kuptoni dhe nuk duhet të anoni nga një lajm bombastik, që nuk është i vërtetë, apo jo totalisht i mirëqenë. Dua të them që nëse nuk ka lajm në klubin tonë, ju nuk duhet të mundoheni të sajoni lajme. Trajneri i Partizanit nuk ka dhënë dorëheqje, pasi më ka kërkuar thjesht të kemi një bisedë dhe unë për këtë erdha urgjentisht nga Qipro”. E në fund duket se çdo gjë ka mbetur si më parë: “Kemi vendosur bashkërisht që ai të vazhdojë punën te Partizani, duke respektuar kontratën që ka edhe për dy vjet deri në 2010-n. Të gjithë duhet të kuptojmë se vendimet për heqjen e trajnerit, ose dënimet e lojtarëve janë kompetencë e presidentit, jo e gazetave dhe televizioneve që vrapojnë për të dhënë një lajm të sajuar, vetëm e vetëm se ka lidhje me Partizanin, sepse u rrit shitjet, apo audiencën. Kjo ndikon për keq edhe në sensibilizimin e tifozëve tanë dhe në emrin e një klubi të madh e të lavdishëm”. Presidenti i kuq nuk ka dashur të hyjë në detaje për atë që u tha në analizë, megjithatë ka pranuar se situata është më shumë se e vështirë: “Nuk jemi në gjendje normale. Situata është më shumë se e vështirë, pasi gjendemi në fund të renditjes. Faktorët dhe arsyet janë sa objektive, aq edhe subjektive. Ajo që kërkuam në këtë takim të zgjatur me futbollistët ishte një analizë e gjerë e kësaj gjendjeje. Natyrisht, çështje e këtij takimi kanë qenë edhe shumë futbollistë të tjerë, të cilët nuk janë impenjuar sa duhet, në kuptimin që duhet të jepnin maksimumin, pasi bëhet fjalë për ata nga të cilët presim më shumë. Midis të tjerash kemi vendosur edhe piketa për të ardhmen, që do të thotë më shumë impenjim, më shumë kolektivitet dhe më shumë mbështetje të shoqërisë brenda skuadrës, sepse i kemi kualitetet dhe mundësitë për të mos u gjendur këtu ku ndodhemi”.