Sejdiu: Serbia po përpiqet të fshehë krimin në Kosovë
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, pas kthimit nga Nju Jorku ka hedhur akuza kundër Serbisë, se ajo do të përdorë gjithçka që është e mundur për të mbrojtur krimin që ka bërë në Kosovë. “Serbia do të trumbetojë, do të paguajë, do të angazhohet dhe do të trokasë në të gjitha portat e mundshme për të gjetur njerëz për ta mbrojtur krimin e saj në Kosovë”, tha Presidenti Sejdiu, duke shprehur bindjen se drejtësia është në anën e Kosovës, pavarësisht nëse kalon apo jo nisma e Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për interpretimin legal të pavarësisë nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Gjatë dhjetë ditëve të fundit, Sejdiu ka qëndruar në Nju Jork bashkë me ministrin e Jashtëm, Skënder Hyseni, i cili po vazhdon të qëndrojë atje për të lobuar për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe për të bllokuar miratimin e iniciativës serbe në OKB. “Ne nuk kemi arsye të frikësohemi, absolutisht. Çështja e Kosovës është zgjidhur në një proces të rëndësishëm ndërkombëtar. Ne e kemi proklamuar pavarësinë tonë në përputhje të plotë me bashkësinë ndërkombëtare dhe e drejta është në anën e Kosovës në të gjitha versionet”, u shpreh Sejdiu. Sipas kreut të shtetit kosovar, Serbia me veprimet e veta nuk po e pengon Kosovën që të bëhet e pavarur, sepse pavarësia është çështje e kryer, por “edhe kriminelët kanë të drejtë të ankohen, prandaj nuk kemi fare shqetësim”, theksoi Sejdiu. Presidenti i Kosovës i siguroi qytetarët e tij, se statusi i Kosovës dhe vullneti i qytetarëve të saj nuk varen nga Serbia. Më 8 tetor në Nju Jork, Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara do të votojë nëse e mbështesin apo jo nismën serbe, që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të interpretojë shpalljen dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës.