E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Argjiro, nxënësja e Robert Papavramit

 

Ish-nxënësja e Robert Papavramit, violinistja franceze Louise Chisson, e shoqëruar nga pianistja shqiptare Silva Skënderi, ka çelur natën e tretë të koncertit “Takim muzikor të dy botëve”, organizuar në kështjellën shumëshekullore të qytetit të gurtë të Gjirokastrës. Artistja franceze, e lindur në Bordo të Francës, 21 vjet më parë, ka nisur studimet e violinës në moshën tre vjeçe e gjysmë me mjeshtrin e madh, Robert Papavrami, në shkollën e tij “Qendra Pierre Rode de Gradignan” afër Bordose, në shtator 1992. Po këtë vit, do të luajë për herë të parë si soliste koncertin e Riedingut për inaugurim e pavijonit të Francës në ekspozitën universale të Sevijes. E mësuar me skenën që në moshë të vogël, ajo ka dhënë një numër të madh koncertesh recitale me orkestrën e Normandisë, solistët Moske-Montpelier, orkestrën e Dhomës së Moskës nën drejtimin e Konstandin Orbelian. Louise Chisson që prej vitit 2004 studion pranë violinistit rus Dora Schwarzberg në Muzikhochschule të Universitat der Kunste në Vjenë të Austrisë. “Është hera e parë që vij në Shqipëri. Jam shumë e lumtur që mora pjesë në këtë festival, dhe më në fund të shoh këtë vend kaq të bukur me njerëz mikpritës. Kam dëgjuar shumë për vendin tuaj nga profesori im Robert Papavrami dhe jam e kënaqur që Ilda Mara me ftoi të luaj në këtë kala kaq impresionuese”, shprehet për gazetën pas koncertit Chisson.                                p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›