Kukësi i Vjetër, rrënojat që flasin për historinë

Ishulli i krijuar mbi liqen me gërmadhat e Kukësit të Vjetër
Thatësira nxjerr ishullin e gërmadhave në sipërfaqe.
Rrënojat e Kukësit të Vjetër janë dëshmi e thatësirës së dëborës së këtij dimri. Megjithëse është dëbora e parë që pas përmbytjes në vitin 1978, ajo nuk ka ndikuar aspak në rritjen e nivelit të ujërave. Përkundrazi, në sipërfaqe të liqenit është krijuar një ishull me gërmadhat e godinave të famshme të qytetit dhe shtëpive të banorëve të tij të dikurshëm.
Që nga Autostrada e Kombit rrënojat e Kukësit të Vjetër, të sapozbuluara, ngjajnë me një ishull gërmadhash të rëndomta si një fantazmë, por ata që e dinë se çfarë janë këto rrënoja, nuk i shpëtojnë tundimit për të qenë aty fizikisht, apo me kujtimet e tyre për Stambollin e Vogël, siç quhej dikur qyteti me historinë e humbjes në ujërat e liqenit. Shtati i nënujshëm i qytetit del si në përrallë një herë në 6-7 vite, si për tu thënë ish-banorëve të tyre se unë këtu jam, madje këtu keni një pjesë të jetës, kujtimeve, fëmijërisë dhe gjenezës suaj.
Sa më shumë afrohesh duke zbritur në këmbë në shpatin e mbushur plot me dëborë, duket se ishulli bëhet edhe më i madh. Në bregun e liqenit na pret një varkë që do të na çojë në këtë ishull. Xhaferi, një varkëtar i njohur që me kolegët e tij shfrytëzojnë këto ditë për të peshkuar, sepse ngrirja e liqenit i la pa punë dhe u dëmtoi shumë rrjetat, na porosit të kemi shumë kujdes së lundrimi është i vështirë.
Kurtish Spahiu, një lundërtar i njohur e ish-banor i Kukësit të Vjetër, si dhe inspektori i peshkimit e biologu i ujërave, Arben Palushi, janë bashkudhëtarët e mi në këtë udhëtim jo pa rrezik, por pafundësisht tërheqës dhe sfidues. Një kërcim në qytetin e vjetër nga varka e shtyn atë shumë metra larg bregut dhe kolovitjet e saj rrezikojnë udhëtarët. Vendosëm që pesha më e rëndë të zbresë e para. Me të zbritur syri nuk ngopet duke parë se çfarë ka dalë në sipërfaqe.

Kurtish Spahiu, ish-banor i qytetit të vjetër duke folur për gazetën Panorama
Ja, atje poshtë ka qenë shtëpia ime, ende nuk ka dalë në sipërfaqe. Këtu jemi në rrënojat e ish-hotel Gjalicës. Përballë është Shtëpia e Kulturës. Diku atje Këshilli i Bashkuar, më tej policia nën ujë, Klubi i Dinamos, vendi ku rrinte busti i Skënderbeut, kështu Kurtishi numëron me kujtesën që i rifreskohet shumë shpejt godinat e rrënuara.
Kemi kaluar shumë mirë, harmoni e madhe mes njerëzve. Në qytet kishte gjakovarë, prizrenali, goranë, të ardhur nga fshatra të tjerë të Kukësit e qytete të Shqipërisë, por dhe egjiptianë. Nëse mund të zbrazeshin ujërat, jo vetëm unë, por gjithë ata që kanë banuar këtu brenda orës do vinin për të ndërtuar shtëpitë aty ku i kanë pasur, thotë i përlotur 60-vjeçari që ende e ka në mendje ëndrrën për të ngritur linjën e lundrimeve Kukës-Fierzë.
Ndërkohë Arben Palushi, që është rikthyer në Kukës pas 20 vitesh emigrimi për të jetuar përgjithmonë këtu, njeh mirë pozitën gjeografike të ish-qytetit të tij. Kukësi ka qenë një perlë e vërtetë. Ai shtrihej 290 metra mbi nivelin e detit. Në këmbët e tij bashkoheshin Drini i Bardhë që vinte nga Peja dhe i Ziu nga Struga. Me ndërtimin e HEC-it të Fierzës, dy lumenjtë më të mëdhenj të vendit janë kthyer në lumenj të vdekur. Madhështia e qytetit shtohet nga rrethimi nga të gjitha anët me male të larta si Gjalica, Koritniku, Mali i Hasit dhe përballë, Kolshi.
Pika më dominuese është vendi ku ka qëndruar busti i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti. Kjo vepër e artistit të madh shqiptar, skulptorit Odise Paskali, u vendos këtu në vitin 1936, për tu shpërngulur pas 40 vitesh për në Kukësin e Ri. I Vjetri ka një histori të pasur mbijetese, luftërash, përmbytjesh e rimëkëmbjesh. Vau i Kukut ( siç njihet në disa dokumente) ka qenë një pikë takimi e kryqëzim rrugësh që në lashtësi. Njeriu që identifikohet me emrin e qytetin me bujarinë, trimërinë dhe virtytet e malësorit lumjan është prijësi Sulë Elezi, i cili jetoi plot 117 vite, duke u bërë historia e gjallë e qytetit deri në vitin 1955, kur dhe ndërroi jetë.
Mes këtyre kujtimeve harrojmë se që nga fillimi këmbët janë nën pushtetin e borës dhe akullit që kur thyhet bie në baltën që mban një erë banimi dhe ngjyrë hiri. Nis të fryjë një erë e fortë dhe tashmë varka ka përfunduar në bregun tjetër. Duhen orë jo të lehta për të pritur peshkatarin, që mezi i mposht dallgët që i ka përkundër drejtimit nga vjen. Teksa i largohemi ishullit, mendja më rri te shkallët e shtëpive që ende janë në formë, tubacionet e ujit, pak mure në këmbë, pusi me dekorin e veçantë Uji ka nisur të rritet dhe qyteti i skeletizuar për pak ditë sërish do jetë nën pushtetin e tij. Jo bora, por shiu i pandërprerë është mënyra e vetme që Kukësi i Vjetër të mbulohet sërish për tu zbuluar në një tjetër kohë. Deri atëherë, peshqit do të jenë banorët e vetëm të tij.
Helikopteri shpëton shtatzënën
KUKES – Një fluturim urgjent i helikopterit të Ministrisë së Shëndetësisë ka bërë që të shpëtohet një shtatzënë nga fshati Borje, në kufi me Kosovën. Rreth orës 15:30 helikopteri që ka fluturuar nga Tirana solli në spitalin e Kukësit B.Çinarin, e cila pritet të sjellë në jetë fëmijën e saj të katërt. Çinari ishte dërguar për vizitë mjekësore në Dragash në Kosovë, duke ecur në këmbë në një lartësi dëbore prej me shumë se 50 cm, pikërisht në shtegun malor që banorët kanë hapur me krahë në një gjatësi 5 km. Në këtë mënyrë ata kanë bërë lidhjen e fshatit të tyre të izoluar prej dy muajsh më fshatin më të afërt të Kosovës, Krushevë. Gjatë kthimit në këmbë nga Kosova gruaja ka ndjerë përkeqësim të gjendjes së saj dhe të afërmit kanë dhënë alarmin për nënën që rrezikonte të lindte në dëborë. j.h
KUKES/ JONUZ HALLAÇI