E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beqja: Zgjedhjet e lira, kontribut për integrimin

Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqja, reagoi dje pas deklaratës së LSI-së, se opozita po pengon procesin e integrimit të vendit. Në një prononcim për "Shqip", Beqja konfirmoi vendosmërinë e opozitës për të vijuar në kërkesat e saj.

"Opozita është e vendosur të vazhdojë të insistojë për atë që e kërkon tashmë prej disa javësh shumica e zgjedhësve shqiptarë: hetimin e plotë e pa kushte të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Protestat nuk e pengojnë apo largojnë liberalizimin e vizave apo integrimin në BE. Përkundrazi, kthimi i besimit te zgjedhjet e lira e të ndershme do të kontribuojë që ne të meritojmë liberalizimin e vizave dhe integrimin në BE", tha ai. Sipas deputetit të PS-së, hetimi i plotë e pa kushte i krimit elektoral të 28 qershorit do të shërbejë për konsolidimin e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës në Shqipëri. "Në vendet e BE-së ku duam të shkojmë, shohim përditë protesta, madje edhe konfrontime me forcat e rendit e të sigurisë, por askush nuk anatemon protestuesit se cenojnë imazhin e vendit dhe dëmtojnë demokracinë. Çfarë bie në sy është fakti se prej disa javësh Sali Berisha përdor patericën mazhoritare LSI për t‘iu përgjigjur opozitës. Dhe LSI-ja apo drejtues të saj, në garë për të zënë një vend nderi në oborrin e Sali Berishës, po shfaqin një zell që ia kanë zili edhe pëdëistët e flaktë", tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›