Hiqeshin si karabinierë për të grabitur drogën, arrestohen nga policia
Kishin gjetur një mënyrë shumë të mirë, për të grabitur shpërndarësit e drogës dhe për të fituar ca para. Dy emigrantë shqiptarë hiqeshin si karabinierë dhe arrinin kështu të mashtronin shpërndarësit e drogës dhe t’u merrnin atyre paratë dhe mallin. Por “loja” e tyre është zbuluar dhe tani ndaj një 20-vjeçari dhe mikut të tij 25-vjeçar ka nisur hetimi. Protagonistë të ngjarjes janë një shpërndarës droge ganez dhe një bashkëkombës i tij, i cili luante rolin e ndërmjetësit, ndërkohë që dy emigrantë shqiptarë ishin personat që do të blinin mallin. Sipas faqes së internetit “Brescia Oggi”, të gjithë po ndiqen nën hetim në gjendje të lirë. Ngjarja ka ndodhur në një banesë në një apartament në rrugën “Fenarolo”. Sipas mediave italiane, ganezët dëshironin që të shisnin një sasi kokaine, ndërkohë që shqiptarët kërkonin që ta provonin atë, përpara se ta blinin.
Një 19-vjeçar nga Gana ishte ndërlidhësi midis dy palëve. Ai i kishte thënë patriotit të tij 35-vjeçar se dy shqiptarë 20 dhe 25 vjeç ishin të interesuar për mallin.
Më 20 tetor, shqiptarët shkuan në banesën ku qëndronte ganezi për të mbyllur marrëveshjen. Këtë herë ata kishin me vete dy pistoleta, pranga dhe një karton që tregonte se ishin pjesëtarë të policisë italiane. Sipas njërit prej përfaqësuesve të karabinierëve, synimi i shqiptarëve ishte që t’i grabisnin ganezët. Të trembur, ata janë hedhur nga dritarja, ku për pasojë njëri prej tyre ka pësuar dëmtime në këmbë, pasi është hedhur nga një lartësi prej tetë metrash. Kjo ngjarje ka tërhequr vëmendjen e banorëve të tjerë, të cilët kanë lajmëruar policinë. Kur kanë shkuar në banesë, karabinierët kanë gjetur një sasi prej 10 gramësh kokainë, si dhe një celular. Ata arritën të gjenin ganezin që ishte i shtruar në ambulancë për t’u mjekuar, si edhe falë telefonit, shqiptarët. Gjatë kontrollit të bërë në një banesë u gjetën kartëmonedha false të prerjes 500 dhe 200 euro, që bënin shumën prej 6 mijë eurosh. Dhe në prokurori u zbulua se shqiptarët kishin kryer të tjera vjedhje me këtë stil. Të gjitha këto nuk ishin denoncuar nga të dëmtuarit. Ndërkohë që në fund u arrit të zbulohej e vërteta dhe ndaj dy shqiptarëve ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë.