Banorët e Roskovecit, protestë për gjetjen e autorëve
VRASJA E XHINDIT/ Rreth 300 banorë kanë nënshkruar një peticion drejtuar krerëve më të lartë të vendit për zbardhjen e vrasjes së 2 majit 2009
Anduen Xhindi theksoi se tashmë ngjarja i kishte kaluar pragjet e shtëpisë së tij dhe ishte kthyer në një çështje që i përkiste të gjithë komunitetit
FIER - Në 6-mujorin e vrasjes së deputetit socialist Fatmir Xhindi, rreth 300 banorë të Roskovecit kanë protestuar paqësisht në sheshin qendror duke kërkuar zbardhjen e ngjarjes dhe gjetjen e autorëve të krimit.
Me pankarta në duar, në të cilat shkruhej "Mjaft më me hipokrizitë", ata i kanë kërkuar Presidentit të Republikës, Kryeministrit, prokurores së Përgjithshme që të shtojnë përpjekjet për t'i dhënë përgjigje pikëpyetjeve të ngritura mbrëmjen e 2 majit të këtij viti ku babai i tre fëmijëve mbeti i vrarë në derën e shtëpisë.
Pas një heshtjeje të gjatë dhe mosnxjerrjes së asnjë motive për ngjarjen e ndodhur dhe as zbulimit të ndonjë autori, banorët, duke e parë këtë ngjarje edhe të lidhur me sigurinë e tyre, kërkuan drejtësi.
Të gjithë pjesëmarrësit në këtë tubim kanë nënshkruar një peticion, i cili i drejtohet krerëve më të lartë të vendit, ku kërkohet zbardhja e vrasjes së 2 majit 2009 e deputetit të zonës së Roskovecit për 12 vjet rresht.
Nën tingujt funebër, rreth 300 banorë të Roskovecit janë mbledhur së bashku të dielën. Mes tyre ndodheshin edhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme, përfshirë këtu edhe anëtarë të PS-së dhe të Rinisë së qytetit. Shumë prej tyre kanë folur, duke bërë thirrje për vënien para drejtësisë të personave që vranë deputetin Fatmir Xhindi.
Djali i tij, Anduen Xhindi, ish-kandidat në zgjedhjet e 28 qershorit kërkoi ndërhyrjen e trupit diplomatik për të zbardhur ngjarjen, duke theksuar se vrasja e të atit ishte një krim që i kalonte portat e shtëpisë së tij. Sipas Anduenit, tashmë kjo çështje i përkiste të gjithë komunitetit të zonës, madje edhe më gjerë.
Ai deklaroi se e gjithë klasa politike dhe vetë qeveria viheshin nën akuzë pas moszbardhjes së këtij krimi, duke i kërkuar presidentit, kryeministrit, si dhe kryeprokurores që për vrasjen e të atit të përfundonin hetimet dhe të jepej emri i autorit, si dhe shkaqet e një krimi të tillë.
Anduen Xhindi kërkoi ndërhyrje edhe për nisjen e një hetimi ndërkombëtar, duke nënkuptuar kështu edhe paanshmërinë e kërkuar për zgjidhjen e çështjes. Banorët e Roskovecit mbështetën deklaratat e ish-kandidatit për deputet të PS-së.
Mes personave të pranishëm ishin edhe deputetët socialistë të qarkut Fier, Armando Subashi dhe Pirro Lutaj. "I kërkoj shtetit të gjejë autorët dhe t'i vendosë para bankës së drejtësisë, - u shpreh Subashi, i cili para fitimit të mandatit të deputetit ka qenë gjyqtar. Vrasja e një deputeti dhe mosvënia para drejtësisë e ekzekutuesve të tij nënkupton që jeta e çdo qytetari është në rrezik, - vijoi Subashi.
Ai theksoi se shteti i ka zhgënjyer qytetarët e vet, pasi vrasësist duhet të ishin gjetur dhe tashmë të gjithë duhet të kishin marrë përgjigje për krimin e rëndë. Ndërkohë, deputeti Pirro Lutaj theksoi se ishte e dyta herë që mblidheshin për Fatmirin.
Duke akuzuar krerët e vendit, ai u shpreh se gjithsecili duhet të kryente detyrat e veta për zbardhjen e vrasjes së deputetit dhe nuk duhet të ishin inekzistentë, duke u mjaftuar me fjalët e ngushëllimit për familjen. Lutaj tha se deri më tani nuk ka asnjë shenjë se shteti do ta zbardhë çështjen.
Deputeti socialist Fatmir Xhindi u vra para shtëpisë së tij më 2 maj të këtij viti. Sipas rindërtimit të ngjarjes, autori e ka ndjekur prenë e tij deri në momentin e mbërritjes dhe më pas e ka ekzekutuar.
Me gjithë bujën e vrasjes së një deputeti, edhe pse kanë kaluar 6 muaj dhe janë marrë në pyetje persona të ndryshëm, të gjitha pistat e ngritura janë rrëzuar rishtas, duke i lënë hetimet në pikën zero, pasi deri më sot nuk ka as shkak e as autor për ngjarjen.