Zbardhen pasuritë e deputetëve të rinj
Si është gjendja financiare në shtëpitë e të porsazgjedhurve si deputetë. Pagat e shumta dhe pasuritë e paluajtshme
TIRANË- Një numër jo i vogël "njerëzish" të rinj kanë hyrë pas zgjedhjeve të qershorit në Kuvendin e Shqipërisë. Personazhe publikë ose jo, ata kanë hyrë tashmë në listën e të zgjedhurve që përfitojnë privilegje të shumta.
Por si është gjendja financiare e deputetëve të rinj? "Shekulli" nis sot botimin e deklarimeve zyrtare të pasurive të plotësuara nga vetë ata dhe të dorëzuara në ILDKP.
Adriana Gjonaj
Ish-zëvendës ministrja e Arsimit, tashmë deputete e kuvendit të Shqipërisë e zgjedhur nga qarku i Elbasanit, Adriana Gjonaj, sipas deklarimit të bërë për vitin 2004 e ka nisur karrierën e saj politike duke pasur në pronësi dy shtëpi banimi nga dy dhoma dhe një kuzhinë, një makinë, truall në plazh, dy kredi për të shlyer dhe të ardhurat nga paga e saj dhe e familjarëve.
Njërin apartament me sipërfaqe 88 metër katror Gjonaj deklaron se ia ka blerë shtetit në fillim të viteve 90-të kundrejt një shume prej 18.992 lekësh mbi të cilën gëzon 100 % të pronësisë.
Për sa i përket apartamentit të dyte, me sipërfaqe 124 m² me vlerë 74.400 dollarë Gjonaj e ka përfituar nga trashëgimia e bashkëshortit. Krahas kësaj, Gjonaj rezulton të jetë pronare e 500 m² trualli në plazh në zonën qeveritare në Durrës e cila ashtu si edhe apartamenti i dytë është pasuri e përfituar nga trashëgimia e bashkëshortit.
Në vitin 2004, kur është bërë edhe deklarimi në emër të Adriana Gjonajt rezulton një makinë tip AUDI me vlerë 5000 euro dhe një vend parkimi në objektin ku ndodhet apartamenti i dyte. Ky objekt vlerësohet të jetë 20 mijë euro.
Në emrin e deputetes Gjonaj janë edhe dy llogari bankare ku në njërën janë depozituar 18 mijë dhe në tjetrën 4 mijë euro. Për të mobiluar njërin prej apartamenteve të banimit, në shkurt të vitit 2004 Gjonaj ka aplikuar për kredi ku i është miratuar shuma prej 10 mijë euro me afat maturimi 15 vite dhe interes 8 për qind.
Sipas të dhënave të deklaruara deri në fund të vitit 2004 Gjonaj ka shlyer 1850 euro nga totali prej 13 mijë euro që duhet të paguajë për këtë kredi bashkë me interesat. Bashkë me kredinë, për të financuar studimet e djalit të saj jashtë shtetit, Gjonaj ka marrë një financim 3 mijë euro ku deri në fund të vitit ka shlyer një të tretën.
Në tabelën e të ardhurave totale vjetore, krahas vetes, Gjonaj ka renditurr edhe familjarët e saj. Nga rroga si pedagoge në Universitetin Politeknik, Gjonaj ka përfituar një pagë vjetore prej 801 mijë lekësh.
Në vitin 2005 Gjonaj ka fituar nga pagat dhe shpërblimet rreth 400 mijë lekë. Kësaj shume i shtohen edhe rreth 80 mijë lekë të ardhura nga mësimdhënia në Universitetin Politeknik dhe në një universitet tjetër privat. Një shumë prej 530 mijë lekësh ka përfituar bashkëshorti i saj si pedagog në Universitetin Politeknik.
Në vitin 2006 Gjonaj rezulton të ketë shtuar me 9 mijë euro gjendjen KESH të parave. Edhe gjatë këtij viti ka vazhduar shlyerja e kësteve të kredisë së marrë që në 2004-ën.
Për vitin 2007 deputetja Gjonaj e ka shtuar edhe me 3 mijë euro gjendjen e parave KESH duke e çuar në total 12 mijë euro. Gjatë këtij viti u zhvilluan edhe zgjedhjet lokale ku Gjonaj u zgjodh anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës. Nga paga që ofron ky post, ajo ka përfituar 108 mijë lekë të ardhura.
Sipas deklarimit të bërë gjatë vitit 2008 Gjonajt i është dashur të shkojë për kurim shëndetësor në Gjermani ku për të mbuluar shpenzimet, krahas të ardhurave familjare, ka përfituar edhe një mbështetje prej 830 mijë lekësh.
Sasia e parave KESH rezulton të jetë shtuar me disa mijë euro nga të ardhurat nga paga e saj, bashkëshortit dhe djalit. Ky i fundit është i punësuar në Holandë. Edhe këtë vit vajza e Gjonajt ka përfituar një bursë studimi prej rreth 19 mijë eurosh për studime doktorature në një universitet në Holandë.
Albana Vokshi
Albana Vokshi e zgjedhur deputete në qarkun e Durrësit ka qenë subjekt i deklarimit të pasurisë që në vitin 2005 për shkak të detyrës së saj si Drejtore e Departamentit të Bashkërendimit të Strategjive pranë Këshillit të Ministrave.
Në bazë të këtij deklarimi, në vitin 2005, Vokshi rezulton të jetë pronare e një apartamenti 95 m² me vlerë 75 mijë euro dhe e një makine fuoristradë me vlerë 15 mijë euro.
Po ashtu, në emër të Vokshit rezultojnë edhe dy llogarive bankare shuma totale e të cilave është 25 mijë dollarësh.
Viti 2006 rezulton të ketë qenë i suksesshëm për Albana Vokshin pasi krahas postit në Kryeministri ajo rezulton të jetë edhe anëtare e Këshilli Mbikëqyrës të Albpetrolit dhe e një kompanie të telefonisë së lëvizshme në vend.
Nga paga në KM, Vokshi ka përfituar në total rreth 1.4 milionë lekë, nga paga si anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Albpetrolit 296 mijë lekë dhe nga ajo në Këshillin Mbikëqyrës të kompanisë celulare 139 mijë lekë.
Sipas deklarimit të bërë gjatë këtij viti, Vokshi ka tërhequr nga llogaria e saj në një bankë jashtë shtetit 15 mijë dollarë. Po ashtu në emër të saj janë hapur edhe tre llogaritë tjera në dy banka në vend me shumë të përgjithshme rreth 6400 dollarë.
Në këtë vit deputetja e Durrësit ka marrë një kredi prej 34 mijë eurosh me afat maturimi 15 vjet dhe interesa 11.2 për qind. Bashkë me interesat në total kredia kap vlerën e 70 mijë eurove.
Krahas detyrave në KM dhe qenies anëtare e Këshillit Mbikëqyrës, gjatë vitit 2007 Vokshi rezulton të jetë edhe Anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të OSSH-së.
Nga paga e saj si Drejtore në Këshillin e Ministrave Vokshi ka përfituar një pagë vjetore prej 1.1 milionë lekësh. Ndërsa në total nga postet e sipërpërmendura ka përfituar rreth 640 mijë lekë.
Gjatë këtij viti deputetja e Durrësit ka zvogëluar llogaritë e saj bankare.
Ajo ka tërhequr rreth 2400 dollarë nga llogaria bankare në bankën jashtë shtetit, 4500 dollarë të tjera nga një bankë tregtare në vend dhe ka shtuar rreth 330 mijë lekë në llogarinë në një tjetër bankë në vend.
Edhe gjatë 2008-ës Vokshi ka vazhduar së lëvizuri shuma ndërmjet llogarive të saj. Duke vazhduar së zvogëluari llogarinë jashtë shtetit ajo ka tërhequr rreth 4 mijë dollarë. Bashkë më një shumë prej 330 mijë lekësh të tërhequr nga tjetër llogari brenda vendit Vokshi ka hapur një llogari tjetër me rreth 7800 dollarë gjendje.
Nga paga e saj si drejtore në Këshillin e Ministrave gjatë vitit 2008 Vokshi ka përfituar rreth një milionë lekë. Nga paga si anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të OSSH-së ajo ka përfituar rreth 220 mijë lekë. Këtyre të ardhurave i shtohet edhe pensioni i babait prej 229 mijë lekësh.
Deputeti i Tiranës është pronar i disa sipërfaqeve tokë në kryeqytet por edhe në Velipojë
Bogdani, trashëgon toka nga familja
TIRANË- Gerti Bogdani është një nga të rinjtë që ka bërë karrierë të shpejtë në Partinë Demokratike duke kaluar nga zëdhënës në kryetar minibashkie e më pas deputet. Për shkak të detyrës së tij si zëdhënës i Ministrisë së Transporteve, Gerti Bogdani tashmë deputet i qarkut të Tiranës ka qenë subjekt i deklarimit të pasurisë që në vitin 2005.
Sipas deklarimit të bërë ai rezulton të jetë bashkëpronar i disa parcelave tokë të trashëguara nga familja në disa zona të Tiranës dhe në Velipojë. Po ashtu ai është pronar edhe i tre shtëpive banimi (njëra në ndërtim e sipër).
Bogdani është pronar i një shtëpie banimi në Tiranë 120 metër katror trashëguar nga familja, një tjetre në Golem 150 metër katror me vlerë 60 mijë euro dhe shtëpisë në Sauk me sipërfaqe 650 metër katror për të cilën ai deklaron se është në ndërtim e sipër.
Për sa i përket tokës, ai rezulton të jetë pronar i një parcele 2.2 dynym në Sauk dhe një dynymi në Velipojë. Krahas kësaj, Bogdani është edhe bashkëpronar i disa parcelave të tjera toke të trashëguara nga familja. Në zonën e Brrakës 30 dynym, në Paskuqan 150 hektarë dhe bathore 212 hektarë.
Nga paga e tij si zëdhënës i MPPTT-së, Bogdani ka përfituar një pagë prej 485 mijë lekësh. Gjatë vitit 2005 ai ka ushtruar edhe detyrën si pedagog në një universitet privat duke përfituar në total rreth 8 mijë euro.
Në vitin 2006, krahas zëdhënësit, Bogdani ka kryer edhe detyrën e këshilltarit të ministrit të Transporteve dhe Punëve Publike duke përfituar në total rreth një milionë lek. Krahas kësaj, deputeti Bogdani ka qenë edhe Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës i Regjistrit Detar në Portin e Durrësit duke përfituar një pagë prej 225 mijë lekësh.
Në vitin 2007 Bogdani u zgjodh në krye të minibashkisë numër 10 në Tiranë. Për vitet 2007-2008 ai ka deklaruar si të ardhura vetëm pagën në krye të njësisë të qeverisjes vendore.
Deputetët e rinj të PS nuk deklarojnë pasurinë
Në dosjet Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive mungojnë emrat e deputetëve të rinj të Partisë Socialiste. Sipas burimeve zyrtare të ILDKP-së, deputetët e zgjedhur për herë të parë nën siglën e PS-së nuk janë subjekt i deklarimit të pasurisë dhe nuk kanë penalitete përderisa nuk janë betuar në Kuvend dhe nuk kanë marrë mandatin e deputetit.
Sipas ligjit, deputetët duhet të bëjnë deklarimin e pasurisë së tyre brenda 30 ditëve pas marrjes së detyrës. Por duke qenë se deputetët socialistë nuk kanë njohur kuvendin e dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit dhe nuk janë betuar në të, mandati i tyre ka mbetur pezull.
Në momentin që ata do të bëjnë betimin që u jep automatikisht edhe mandatin, u lind detyrimi për të bërë deklarimin e pasurisë. "Asnjë nga deputetët e rinj të PS-së nuk është subjekt i deklarimit të pasurisë për faktin se ata nuk kanë marrë ende mandatin",- thanë dje burimet zyrtare të ILDKP-së
Vijon nesër...