E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e trefishtë, autori: Ishte vullneti i Zotit

ITALI/ Alfred Mëlyshi vrau me thikë nusen e vëllait, motrën e saj, mbesën e tij dhe më pas qëlloi veten


Sipas prokurorit, shkak për vrasjen ishte fakti që i vëllai dhe nusja donin ta nxirrnin 24-vjeçarin nga shtëpia e tyre


ITALI - "Ishte vullneti i Zotit". Këto janë të vetmet fjalë që Alfred Mëlyshi, 24 vjeç, mësohet të ketë nxjerrë nga goja teksa karabinierët e çonin në spital.


Në të vërtetë, sipas prokurorit të çështjes, Françesko de Soço, shkak për vrasjen e trefishtë të ndodhur të shtunën ishin mosmarrëveshjet mes Mëlyshit, vëllait të tij Antonit dhe kunatës së tij. Viktimat ishin Rina Mëlyshi, vajza e saj 3 vjeçe, dhe e motra 19-vjeçare, Ornela Ndoj.


Mosmarrëveshjet


"Për momentin mund të flasim për motive të dobëta", u shpreh prokurori i çështjes, sipas të cilit hetimet po thellohen. Alfred Mëlyshi akuzohet për vrasje të shumëfishtë, akuzë e cila rëndohet për faktin se ishte e paramenduar, por edhe e kryer në mënyrë të dhunshme. 24-vjeçari punonte si shofer kamioni dhe jetonte në shtëpinë e të vëllait, Antonit, i cili kryente gjithashtu të njëjtën punë.


Por kohët e fundit Antoni dhe e shoqja, e cila u vra të shtunën së bashku me të bijën 3-vjeçare dhe të motrën, teze e vogëlushes, donin ta largonin Alfredin nga shtëpia. Shkak për këtë sipas prokurorit, ishte fakti se ata besonin që ishte pikërisht 24-vjeçari arsyeja e një sherri që ata kishin me një tjetër familje shqiptare. Por vëllai nuk kishte dashur t'ia dinte për dëshirat e tyre. De Soço theksoi se familja shqiptare me të cilën ata kishin njëfarë grindjeje nuk ka asnjë lidhje me fatkeqësinë.


Alfred Mëlyshi u transferua gjatë natës nga spitali i qytezës ku jetonte dhe ku ndodhi tragjedia, në një spital tjetër, në të cilin ka dhoma të blinduara për personat e dënuar ose për të paraburgosurit.


Mësohet se transferimi i 24-vjeçarit, i cili nuk është në rrezik për jetën, u realizua pas ndërhyrjes në mushkëri, plagë që ai kishte marrë pasi qëlloi veten me thikë menjëherë pasi vrau mbesën trevjeçare, kunatën dhe motrën e kunatës.


Hetimet


Mësohet se Mëlyshi pasi vrau tri femrat, më pas tentoi të vetëvritej. Trupat pa jetë të vogëlushes, nënës së saj dhe tezes kishin shenja thike sidomos në kraharor, ndodheshin njëra pranë tjetrës në dhomën e ngrënies së shtëpisë.


Për më tepër, dy gratë, sipas përfundimeve të para të mjekëve ligjorë, nuk kishin shenja se kishin luftuar për t'u mbrojtur, çka i ka bërë të dyshojnë se gratë mund të jenë helmuar paraprakisht. Megjithatë, një gjë e tillë mbetet ende për t'u vërtetuar pas daljes së përgjigjes së autopsisë.


Ndërkohë mësohet se dy thika kuzhine janë gjetur në dhomën e ngrënies dhe një tjetër në dhomën e gjumit, aty ku Alfredi është vetëplagosur në kraharor, para se të dilte në rrugë dhe t'i jepej ndihma e parë. Një nga tre thikat ishte thyer.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›