Hiqet TVSH për arsimin privat, ulen 20 për qind shpenzimet e studentëve
Mima: Më 1 tetor nis zbatimi i ligjit Komisioni Parlamentar i Ekonomisë miratoi vendimin e kryeministrit Sali Berisha për të hequr tatimin mbi vlerën e shtuar për arsimin privat e publik. Deputetët demokratë miratuan unanimisht ndryshim në ligjin për TVSH-në, duke i dhënë këtij tregu jo të vogël, një frymëmarrje më të madhe financiare. Heqja e TVSH-së për arsimin do të thotë që çdo shërbim që kryhet në funksion të edukimit do të kushtojë 20 për qind më pak. Në fund të vitit 2009 kryeministri Berisha
njoftoi në mbledhjen e fundit të qeverisë se do ti bënte një dhuratë sektorit të arsimit, por ai hasi në kundërshtime të ministrit të Financave, sipas të cilit nuk ishte kohë dhuratash. Por në fakt ky paralajmërim u konkretizua. Heqja e TVSH-së për arsim privatë është një masë e cila jep ndikim në buxhetin e shtetit. Ndaj një vendim i tillë duket jo shumë i përshtatshëm në këtë vit kur buxheti i shtetit ndodhet në vështirësi serioze. Ky ligj do të hyjë në fuqi vetëm 1 tetorin e vitit të ardhshëm, por gjithsesi kjo do të sjellë si rezultat një vit akademik më të lirë për studentët. Që nga 1 tetori 2010 mbi të gjithë shërbimet e arsimit nuk do të aplikohet TVSH. Komisioni parlamentar i ekonomisë miratoi projektligjin që heq tatimin e vlerës së shtuar, mbi arsimin publik dhe jo publik. Përjashtimi nga TVSH do të hyjë në fuqi në vitin e ri akademik. Deputeti demokrat Florion Mima, e cilësoi miratimin e ligjit për heqjen e TVSH-së për arsimin privat si një hap shumë të rëndësishëm, duke theksuar se ky është serioziteti i një partie qeverisëse. Një nen shumë i rëndësishëm është përjashtimi i shërbimeve të edukimit, qoftë publik, qoftë privat, duke filluar nga viti akademik 2010. Pra nga një 1 tetori i 2010. Është një premtim elektoral i PD dhe një premtim që po materializohet nga ana e mazhorancës së sotme u shpreh Mima. Ndërsa anëtari tjetër i komisionit, Selami Xhepa, e cilësoi ligjin për heqjen e TVSH-së, një reduktim taksash për prindërit e studentëve. Është një element shumë i mirëpritur nga kjo industri e vendit, por natyrisht përfituesi përfundimtar i saj do të jenë qytetarët dhe mijëra studente që do të vazhdojnë jetën e tyre akademike vitin e ardhshëm tha Xhepa. Sipas tij projektligji i miratuar në komisionin e ekonomisë, tregoi edhe njëherë seriozitetin e qeverisë për të mbajtur premtimet paraelektorale. Anëtarët e komisionit, theksuan ndër të tjera se miratimi i ligjeve të tilla, është një dhuratë mjaft e çmuar për të gjithë qytetarët shqiptarë të cilët e duan arsimin. Kjo sipas tyre do të sjellë gjatë viteve të ardhshme rritje të numrit të studentëve për të frekuentuar shkollat, e cila sipas tyre do të sjelli rritjen e nivelit intelektual në vend. Ndër të tjera ata e konsideruan si një hap tjetër zhvillimi, duke theksuar se Shqipëria tashmë po bën hapat e fundit për një integrim sa më të shpejtë në Bashkimin Europian. Anëtarja e këtij komisioni, Alban Vokshi, e cilësoi miratimin e këtij ligji një hap të domosdoshëm dhe të nevojshëm, për të gjitha familjet shqiptare, të cilat tashmë mund ti dërgojnë fëmijët e tyre edhe në shkolla private, por që do të kenë një kosto për të paguar edhe më të ulët. Heqja e ligjit për TVSH-në e arsimit privat, nuk do të thotë vetëm ulje të tarifave shkollore, por do të thotë që në vitet e ardhshme të kemi edhe më shumë studentë nëpër këto shkolla. Kjo do të thotë se Shqipëria ka bërë hapa të tjera drejt integrimit në BE, u shpreh Vokshi. Në disa prej universiteteve private ky vendim nuk pritet të ndjehet, pasi TVSH-ja ishte një barrë për drejtuesit e institucionit dhe nuk reflektohej tek studenti. Miratimi i këtij ligji, sipas dekanes së UET-së Luljeta Minxhozi, kjo masë do të japë efekte tek pagesat e librave apo kurseve shkollore, të cilat pritet të bëhen edhe më të lira.Taulant Halili
Last Updated on E Marte, 19 Janar 2010 21:06