E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hiqini mbetjet e varrezave të makinave brenda 7 tetorit

05/10/2011  ARM ultimatum pronarëve të 52 pikave. Do të spostohen 1 km larg rrugëve nacionale

ELBASAN- Rreth 52 subjekte të varrezave në Elbasan duhet të largojnë mjetet dhe mbeturinat nga vendndodhja aktuale brenda datës 7 tetor. Agjencia Rajonale e Mjedisit ka bërë këto ditë një identifikim të vendeve të grumbullimit të mjeteve të vjetra duke i përcjellë edhe Aktin Normativ të Qeverisë për spostimin e tyre 1 km nga rrugët nacionale.

Ultimatumi

Drejtori Adi Madhi u shpreh se në bazë të udhëzimeve të marra nga Ministria e Mjedisit për heqjen e mjeteve motorike, rimorkiove dhe pjesëve të ndryshme të dala jashtë përdorimit pranë rrugëve kombëtare, menjëherë janë marrë masa për identifikimin dhe regjistrimin e tyre. Inspektorët janë shpërndarë në Elbasan dhe katër nënprefekturat e qarkut dhe kanë evidentuar në detaje këtë aktivitet duke lënë edhe detyra konkrete për pronarët e tyre. Në shkallë prefekture janë identifikuar 52 subjekte që ushtrojnë aktivitet duke shfrytëzuar varrezat e makinave. Numrin më të madh të varrezave e zë Elbasani me 42 varreza makinash, të cilat ndodhen në afërsi të qytetit dhe në anë të akseve rrugore Elbasan- Librazhd, Elbasan–Gramsh, Elbasan-Cërrik, Elbasan-Peqin Elbasan-Tiranë. Në nënprefekturën Librazhd janë identifikuar 8 varreza makinash dhe në Peqin 2 të tilla. Adi Madhi pohoi se “shumica e subjekteve kanë filluar evadimin e makinave të vjetra, duke çmontuar pjesët e këmbimit e duke i dërguar ato për skrap. Pronarëve ju dhanë sqarimet e nevojshme dhe ju la detyrë që brenda datës shtatë tetor ky aktivitet duhet të zhvendoset 1 km larg rrugëve nacionale ose duhet të dërgohen për skrap”. ARM Elbasan bën të ditur se mbeten vetëm dy ditë nga vendimi për largimin e varrezave dhe se pas kësaj date do veprohet bazuar në ligj. “Nëse pronarët nuk kanë larguar makinat dhe vjetërsirat e hekurit atëherë pas datës 7 tetor do të ndërhyhet në bashkëpunim me strukturat e tjera të përcaktuara në aktin normativ. Pas kësaj date do të fillojë riinspektimi dhe marrja e masave ndaj subjekteve që nuk kanë zbatuar aktin normativ”, përfundoi Madhi.

Ai tha se shumica e varrezave nuk kanë leje shfrytëzimi dhe mjedisore. Një pjesë e mirë e tyre kanë filluar shpërnguljen në pikat e skrapit apo edhe në vende të tjera larg rrugëve nacionale. Nga të dhënat e Agjencisë së Mjedisit Elbasani rezulton qarku me numrin më të madh të varrezave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›