Fshehu të shkuarën, shkarkohet kreu i ALUIZNI-t për Tiranën
05/10/2011 Drejtori i ALUIZNI-t për Tiranën, Ferdinana Shehu, është shkarkuar dje nga detyra me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të këtij institucioni Shaban Memia. Në deklaratën për shtyp të shpërndarë nga Drejtoria e Përgjithshme e ALUIZNI-t thuhet se shkak për shkarkimin e Shehut nga ky post është bërë fshehja e së shkuarës së tij. Sipas njoftimit, Shehu për më shumë se katër vjet ka shërbyer në hetuesinë e Vlorës në kohën e diktaturës dhe këtë nuk e ka paraqitur në CV-në e tij dorëzuar në këtë institucion. "Rasti i drejtorit të ALUIZNI-t për qarkun e Tiranës dëshmon se si mungesa e integritetit personal ka cenuar performancën në zbatimin e detyrimeve ligjore. Çështë më e rëndësishmja, ajo tregon se si një funksionar publik ka mashtruar në mënyrë zyrtare organet përmes manipulimeve në jetëshkrim, duke lënë jashtë tij një eksperiencë pune 4-vjeçare si hetues në hetuesinë e rrethit të Vlorës. Mungon në këtë jetëshkrim edhe detyra si efektiv në Ministrinë e Rendit Publik. Vendosa, për shkaqet e mësipërme, lirimin e menjëhershëm nga detyra të zotit Ferdinand Shehu si drejtor i ALUIZNI-t për qarkun e Tiranës", - thuhet në njoftimin për shtyp të shpërndarë me këtë rast. Por vetë ish-kreu i ALUIZNI-t për Tiranën, Shehu, është shprehur se shkarkimi i tij me pretekste të tilla ka qenë i padrejtë dhe se nuk ka shkelur dhe ska fshehur asgjë. Shehu tha se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të vendosur në vend integritetin e tij moral dhe profesional. Më herët Shehu ka qenë nëndrejtor i ALUIZNI-t, i shkarkuar nga Memia dhe i rikthyer si drejtor i përgjithshëm për Tiranën vetëm disa muaj më parë.