Hiri i vullkanit prek aeroportin ndërkombëtar
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) njoftoi dje, se fluturimet direkte për në Londër dhe Budapest janë anuluar, për shkak të hirit në zonën e Islandës si rrjedhojë e vullkanit që shpërtheu ditën e mërkurë më 14 prill 2010. Hiri i vullkanik është përhapur në pjesën veriore të Europës. Ndërkohë, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës njofton se të gjitha fluturimet e planifikuara operojnë normalisht nga TIA, por pasagjerët që kanë fluturime transit janë të rekomanduar të kontaktojnë linjat ajrore përkatëse për informacione të mëtejshme në lidhje me udhëtimin e tyre. “Fluturimet për në Londër dhe Budapest janë anuluar deri në një njoftim të dytë. Në rast të anulimeve të fluturimeve të tjera, Tirana International Airport do t’i mbajë pasagjerët e informuar”, shprehen burime zyrtare të aeroportit “Nënë Tereza”.
Ndërkohë që kompanitë ajrore nga e gjithë Europa kanë filluar ankesat për reduktimin e itinerareve të fluturimeve, si pasojë e pranisë në ajër të tymit vullkanik. Ekspertët japin alarmin për pasojat shëndetësore në rast se lënda zbret në sipërfaqen e tokës. “Pasoja të mëdha shëndetësore do të kenë europianët nëse tymi i vullkanit të Islandës ulet në tokë. Specialistët nuk janë të sigurt të shprehin pasojat shëndetësore të tymit të vullkanit”, deklaroi Devit Epstain, oficer i Organizatës Ndërkombëtare Shëndetësore.
Disa vende të Europës Veriore, mes tyre Britania, Norvegjia, Suedia dhe Danimarka, kanë mbyllur plotësisht hapësirën e tyre ajrore. Parashikohet anulimi i 17 mijë udhëtimeve, ndërkohë që 8 mijë të tjerë janë bllokuar që prej ditës së djeshme. Autoritetet britanike kanë zgjatur kohën e mbylljes së hapësirës ajrore deri të shtunën në mëngjes. Bllokim fluturimesh mund të ketë edhe në Poloni, Estoni, Lituani, Letoni dhe Austri.
#