E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimet, foto të montuara nëpër dosje

Durrës, hetimet për punonjësit e ALUIZNI-t u bënë pa dijeninë e drejtuesve të institucionit

Hetimet dhe operacioni që çoi në arrestimin e punonjësve të ALUIZNI-t në Durrës janë zhvilluar pa dijeninë e drejtuesve të kësaj agjencie. Megjithatë, fenomeni nuk ka qenë i panjohur për ta. Për moszbatim dhe shpërdorim detyre janë larguar nga puna 9 persona. Ndërkohë, deklarimi se të tjerë persona janë implikuar në këto vepra penale për të cilat akuzohen dhe janë arrestuar 4 punonjësit ka krijuar një atmosferë të rëndë. Janë të shumtë ata që ndihen të pasigurt nëse denoncimet mbi bazat e të cilave kanë nisur hetimet 7 muaj më parë i kanë përfshirë ose jo emrat e tyre. Legalizimi i ndërtimeve pa leje është një nga çështjet më delikate dhe më me përparësi gjatë viteve të fundit dhe përpjekjet e individëve për të përfituar sa më shumë nga ky proces u kanë hapur rrugën abuzimeve, ndonëse krerë të ALUIZNI-t bëjnë të ditur për gazetën se është shumë e vështirë dhe thuajse e pamundur që abuzimet të kalojnë sitën dhe të marrin miratimin përfundimtar. Pavarësisht premtimeve dhe marrjes së ryshfeteve, drejtues të kësaj agjencie theksojnë se sistemi nuk mundëson që të zyrtarizohen abuzimet e punonjësve topografë, të cilët dyshohet se nuk kanë vepruar në grup, po secili për llogari të vet duke përfituar shuma të ndryshme parash.
“Ortofotot të skualifikojnë menjëherë nga përfitimi i padrejtë, pavarësisht dëshirës. Në to nuk mund të ndërhyhet”, thonë burimet pranë ALUIZNI-t. Tre nga katër të arrestuarit, me përjashtim të drejtuesit të zyrës Qamil Byberit kanë qenë me vërejtje për përjashtim nga detyra. “Ka pasur sinjale për abuzime në detyrë, po për shkak të mospërballjes së drejtpërdrejtë të qytetarëve që raportonin shkeljet ndaj tyre ishte marrë vetëm masa e vërejtjes”.

Arrestimi i katër punonjësve i ka dhënë një goditje të rëndë ALUIZNI-t në Durrës. Kreu i kësaj agjencie, Andi Lila, ka mbledhur me urgjencë stafin e vet, që në rang qarku ka tri zyra në Shkozet, Fushë-Krujë dhe Sukth. Zyra e Shkozetit mbulon volumin më të madh të punës dhe hapësirës dhe ka një numër prej 24 punonjësish. Ndërsa dy zyrat e tjera kanë matur dhe verifikuar vetëdeklarimet për 3 mijë ndërtime, ajo e Shkozetit gjatë kësaj kohe ka bërë matjen e rreth 21 mijë ndërtimeve. Pikërisht gjatë këtyre matjeve kanë nisur dhe mitëmarrjet e premtimet për përfshirjen në legalizim të objekteve në gjendjen aktuale dhe jo në atë të mëparshme të deklaruar që në vitin 2006.

Nuk kanë munguar rastet kur vetë subjektet e përfshira në procesin e legalizimit kanë dorëzuar foto të montuara të objektit që i paraprijnë dhe gjendjes faktike të objektit sot. Hetimet e nisura nga sektori kundër krimit ekonomik Durrës në bashkëpunim edhe me Drejtorinë Kundër Krimit Financiar, si dhe me Njësinë e Përbashkët Hetimore pranë Prokurorisë së Rrethit Durrës Task Forcë vazhdojnë për të zbardhur të tjera abuzime dhe emra të përfshirë në to. Katër të arrestuarit e së enjtes, gjatë kryerjes së funksioneve të tyre si punonjës të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit e Integrimit të Zonave dhe Ndërtimeve Informale të Qarkut Durrës, në bazë të hetimeve, kanë kryer veprime në kundërshtim me detyrën dhe akte korruptive gjatë procesit të legalizimit të ndërtimeve pa leje. Ata dyshohet se kundrejt ryshfetit kanë kryer legalizime për ndërtime të papërfunduara brenda afatit të lejuar, apo kanë legalizuar ndërtime mbi gjendjen faktike, duke i përfshirë ato në hartat elektronike për t’u dhënë mundësi klientëve në proces që të vazhdojnë përfitimin e sipërfaqeve dhe ndërtimeve të reja të pas vitit 2006.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›