E Diel, 1 Nëntor 2026

Hiri vullkanik, mbyllet përsëri aeroporti i Prishtinës

PRISHTINE- Sot prej në 22 të mbrëmjes deri nesër në mesditë mbyllet përsëri aeroporti i Prishtinës, deklaron zëdhënësi i ANP-së, Altin Ahmeti. Mbyllja bëhet për shkak se pritet kalimi i hirit vullkanik edhe nëpër Kosovë.

Sipas Ahmetit, hapësira kontaminohet prej nivelit të tokës deri në 6 mijë metra lartësi. Ndërsa gjatë ditës, prej 13 fluturimeve, janë realizuar vetëm 8 prej tyre. Arritjen e hirtit vullkanik edhe në Kosovë e ka konfirmuar edhe Qendra Meteorologjike Evropiane. Sipas pamjeve satelitore të prezantuara nga kjo qendër, aktualisht reja e hirit është mbi Ballkan. Meteorologu kosovar, Sylë Tahirsylaj, thotë se pluhuri është duke shkuar nga Italia, por mund të arrijë në Kosovë nëse ndërron drejtimi i erës.

“Aktualisht, pluhuri e ka zonën e veprimit deri në hyrje të Italisë, Kroacisë, Vojvodinës. Por nuk përjashtohet mundësia që të vijë edhe në Kosovë.”, ka deklaruar Tahirsylaj. Në territorin ajror të pjesës së Bashkimit Evropian nga sot do të fillojë vendosja graduale dhe e koordinuar e trafikut ajror, njoftuan ministrat e trafikut.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›