E Diel, 1 Nëntor 2026

Histori dashurie në doganën e Kukësit

KUKËS- Një histori dashurie e nisur me shumë peripeci e probleme nga Laçi në Prizren është kurorëzuar me sukses dje në qytetin e Kukësit. Vajza ishte larguar nga shtëpia për të vazhduar jetën me djalin që donte ndërsa familja kishte bërë denoncim në polici. Vetëm pas verifikimit dhe ndërhyrjeve të shumta, familja e vajzës ka pranuar të japë pëlqimin e saj dhe të lejojë martesën.

Policia e Kukësit ka ndaluar një 19- vjeçare nga Laçi, e cila bashkë me një djalë nga Prizreni po udhëtonte në drejtim të këtij qyteti. Arsyeja e ndalimit, sipas policisë kufitare në Morinë, ka qenë sepse familja e 19- vjeçares kishte denoncuar në polici se vajzën e kishte grabitur një kosovar, i cili ishte dhëndër në shtëpinë e tyre. Por largimi i vajzës nga shtëpia ishte bërë më qëllim për t'u martuar me vëllanë e burrit të motrës në qytetin e Prizrenit. Kandidati për dhëndër ishte këngëtar dasmash dhe kishte dërguar të vëllanë për të për të realizuar grabitjen e vajzës nga Laçi. Bejtullah Vaha ka thënë në policinë e Kukësit se kishte pesë muaj që kishte rënë në dashuri me vajzën nga Laçi, pasi edhe motra e saj ishte e martuar për vëllanë e tij. Ndërkohë që vajza 19-vjeçare merrej në pyetje nga inspektorët e policisë, kandidati për dhëndër që priste të kurorëzonte martesën shprehej i vendosur se nuk do të lejonte, qoftë edhe duke sakrifikuare jetën, që vajza të kthehej pranë prindërve në qytetin e Laçit. Dritan Musa, shef i Zyrës së Antitrafikut në Kukës pohoi dje për "Shekullin" se vajza 19- vjeçare ishte larguar me dëshirën e saj nga familja me qëllim për tu martuar me kosovarin Bejtullah Vaha. Pas marrjes në pyetje ajo ka deklaruar se e dashuronte prej pesë muajsh djalin nga Prizreni dhe do të lidhte martesë me të. Ndërkohë që inspektorët e antitrafikut kanë kontaktuar edhe me familjen e vajzës nga Laçi duke i komunikuar thëniet e saj në polici. "Hajde na qoftë për hajër", ka qenë përgjigja e familjes së vajzës. Deklarimet e vajzës, familjes saj si dhe të shtetasit Bejtullah Vaha janë administruar në dosje ndërkohë që vajza është lënë e lirë me djalin që dashuronte për të udhëtuar në drejtim të Prizrenit. “Vajza ishte në një moshë madhore mbi 18 vjeç dhe në bazë të ligjeve shqiptare nuk kishim asnjë arsye që ta ndalonin dhe nëse familja do të ishte kundër”,- thotë Dritan Musa.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›