Incesti i Gramshit, një qytet i tërë e dinte por heshte
GRAMSH- Historia tragjike e incestit që përfundoi katër ditë më parë me një vrasje në Gramsh ka zbuluar një “thashetheme” që qarkullonte në të gjithë qytetin. Pothuajse të gjithë njerëzit e kishin kuptuar historinë midis dy të rinjve edhe pse ata ishin kushërinj të parë. Edhe i fejuari i vajzës që ishte gjithashtu nga qyteti kishte vendosur t’i jepte fund lidhjes pasi kishte kuptuar se mes asaj dhe Ilirianit ekzistonte diçka më tepër se gjaku. Një histori e shëmtuar që dihej nga të gjithë por askush nuk ka ngritur zërin e të flasë duke e lënë ngjarjen të degradojë deri në një krim makabër që i ka marrë jetën vajzës 20- vjeçare.
Familja Xhaferri, duke qenë se nuk kishte djem të mëdhenj, jetonte në varfëri. Madje edhe apartamentin në katin e parë në lagjen “18 Gushti” kjo familje e kishte nxjerrë në shitje për shkak se mungonin paratë. Greta punonte në një lokal nate në qytet për të fituar pak para të cilat duhet ta ndihmonin për shpenzimet e saj. Ndërkohë autori i krimit të vrasjes, që besonte në fenë myslimane dhe kryente të gjitha ritet, atë ditë ka qenë në një nga lokalet në qendër të qytetit, qetësisht ka pirë kafe dhe më pas ka shkuar të marrë armën të cilën e kishte fshehur në një ferrë buzë lumit Devoll. Kur i ka kërkuar vajzës që ta bëjnë publike historinë dhe ajo të ishte gruaja e tij, ajo e habitur ka kundërshtuar duke i thënë se nuk e donte më. E ulur në divan duke lexuar një libër Greta nuk e ka pritur që nga çanta të dilte automatiku por i ka thënë 27- vjeçarit të largohej por ai pa një pa dy e ka qëlluarme një breshëri me tre plumba dhe vajza është mbështetur në divan e vdekur.
Ndërkohë autori që ka firmosur edhe rrëfimin e tij për krimin nuk ka dalë ende për vlerësimin e masës së sigurisë. Pritet që nga prokuroria të kërkohet ekspertimi psikiatrik pasi dyshohet se Ilirian Koçi ka pësuar çrregullime psikike që e kanë dërguar deri në krimin e vrasjes. Sipas të dhënave hetimore, 27 vjeçari ka mbaruar shkollën e mesme teologjike. Institucionet fetare të Elbasanit pohuan dje se djali ishte një besimtar i rregullt por ai nuk kishte asnjë detyrë fetare.