E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo në Kavajë: Mungesa e spitalit rrezikon jetë njerëzish

Spitali i Kavajës është pothuajse inekzistent pasi aty nuk mund të kryhet as edhe një lindje me operacion

KAVAJË- Vonesat për ndërtimin e spitalit në qytetin e Kavajës janë duke rrezikuar çdo ditë jetë njerëzish. Këtë e ka pohuar vetë ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo gjatë një vizite në këtë qytet. “15 minuta ndajnë shpeshherë jetën nga vdekja, ndaj për shumë shërbime, të cilat Kavaja nuk i plotëson, pacientët nuk mund të presin transportin prej 30 minutash deri në Durrës. Ndërtimi i godinës së Spitalit të ri të Kavajës duhet të shihet nga këndvështrimi i një rasti urgjent spitalor. Ndërtuesit duhet të vihen vetë në rolin e pacientit që ka nevojë urgjente për ndihmën e shpejtë, pasi vetëm kështu mund të bëjnë maksimumin”,- ka pohuar Godo.

Në këtë qytet po ndërtohet një spital i ri me vlere 7.6 milionë dollarë amerikanë por në kantierin ku po zhvillohen punimet janë dalluar vonesa, të cilat do të ndikojnë edhe në shtyrjen e datës së inaugurimit. Kjo ishte parashikuar të ndodhte në prill 2009, por nisur nga gjendja e deritanishme e punimeve, parashikohet si afat përfundimtar korriku i vitit 2009. Por zbatuesit e projektit u shfajësuan para ministres duke thënë se “kemi humbur shumë kohë për zbrazjen e gropës nga ujërat”. Ministrja e re e shëndetësisë u takua ne Kavajë me kryebashkiakun e qytetit, drejtorin e shëndetit parësor Feim Kazazi, drejtoreshën e spitalit, Fatbardha Gjuzi si dhe drejtorin e projektit zbatues Enrik Shehu. Në Spitalin ekzistues të Kavajës nuk ka repart infektiv, nuk ka sallë reanimacioni, madje në të nuk ekziston as mjeku anestezist, pasi mungojnë ambientet. Në këtë spital të Kavajës nuk mund të kryhen madje as lindjet me operacion. Në këtë aspekt ndërtimi sa më parë i Spitalit të ri shihet si një domosdoshmëri, pasi kërkesa për këto shërbime rritet dita-ditës dhe premtimet qeveritare kanë qenë nga më të bujshmet, por realisht kanë rezultuar premtime bosh, pasi qytetarët e Kavajës po vuajnë prej vitesh mungesën e asistencës së domosdoshme shëndetësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›